Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UFC, luftëtari shqiptar në mbrëmjen e nxënësit të Khabibit

Luftëtari shqiptar, Ramiz Brahimaj, do të kthehet në kafazin e UFC-së në mbrëmjen e së shtunës. Ai do të zhvillojë luftë në kategorinë “uelter”. Përballë do ta ketë Michael Gillmoren.

Lufta e Brahimajt zhvillohet në kuadër të mbrëmjes “UFC Fight Night 202”. Dueli kryesor i mbrëmjes në Las Vegas të SHBA-së është në mes të Islam Makhachevit dhe Bobby Greenit.

Makhachev është nxënës i ikonës Khabib Nurmagomedov. Islam Makhachev ende ushtron me Khabibin e famshëm. Është nga Dagestani i Rusisë dhe yll i ri i UFC-së.

Brahimaj vetëm javën e kaluar është konfirmuar si pjesë e mbrëmjes në Vegas. Ai ka zëvendësuar Jonny Parsonsin, por nuk janë dhënë arsye për këtë ndërrim të papritur.

Brahimaj 29-vjeçar jeton në New York. Është njëri prej dy shqiptarëve në UFC, serinë kryesore të Arteve Marciale të Përziera (MMA).

Në MMA, Brahimaj ka bilanc prej nëntë fitoresh e katër humbjesh. Ndërkohë në UFC ka dy humbje e një fitore. Debutoi më 7 nëntor të vitit 2020, kur humbi nga Max Griffin, me vendim të mjekut. Më 21 gusht të vitit të kaluar e mposhti Sasha Palatnikovin. Ndërsa më 15 janar të këtij viti humbi nga Court McGee, me vendim unanim të gjyqtarëve.

Gillmore e zhvillon vetëm luftën e dytë në UFC. Ai ka vlerësuar luftëtarin shqiptar, por synon fitore. Brahimaj vlerësohet favorit. Fitorja do t’i kryente shumë punë për karrierën e mëtejme në UFC.

Artikuj të ngjashëm