Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Brahimaj premton kthim të fuqishëm pas humbjes së re në UFC

Ramiz Brahimaj po e vazhdon karrierën në UFC, serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera (MMA). Brahimaj të shtunën mbrëma ishte pjesë e ngjarjes “UFC on ESPN”, që u mbajt në Nevada të SHBA-së. Në kuadër të kategorisë uelter, Brahimaj u përball me luftëtarin me përvojë dukshëm më të madhe, Court McGee.

McGee ka dominuar luftën në kafaz dhe ka fituar me vendim unanim të gjyqtarëve. Gjyqtarët e vlerësuan amerikanin fitues në të gjitha tri raundet.

Brahimaj 29-vjeçar është i lindur në New York. Në MMA është nga viti 2014, ndërsa bilancin e ka nëntë fitore e katër humbje.

Në UFC po ka më shumë telashe në fillim të karrierës në këtë seri. Fillimisht humbi nga Max Griffin më 7 nëntor të vitit 2020. Vendimin për ndërprerje të luftës e mori mjeku. U kthye me fitore ndaj Sasha Palatnikov, më 21 gusht të vitit të kaluar. Ka shpresuar të rreshtojë dy fitore, por McGee ishte dominues të shtunën. Amerikani 37-vjeçar është në UFC që nga viti 2010, ndërsa ka 19 luftëra deri më tani.

“Përfundimisht nuk ishte nata ime. Është pjesë e këtij sporti që e dua aq shumë. I heq kapelën kundërshtarit. Ishte nder për mua të ndaj oktogonin me të. Është garues i madh dhe njeri edhe më i madh. Do të pranoj këtë mësim dhe do të bëhem vetëm edhe më i mirë. Nëse jeta më ka mësuar diçka është se dështimi më ka ndihmuar të bëhem edhe më i mirë”, ka shkruar Brahimaj të dielën.

Brahimajn nuk e ka përcjellë fati në fillim të karrierës në UFC. Ai zbuloi se ka një tumor në sy, disa ditë para se t’i paraqitej mundësia për të fituar kontratë në UFC. E kaloi këtë sfidë dhe debutoi. U kthye edhe pasi në luftën e parë pësoi lëndim serioz të veshit.

Edhe UFC, Brahimaj pëson humbje me ndërprerje Luftarake UFC, Brahimaj pëson humbje me ndërprerje

“Kam pasur operacionet dhe incidentin me veshin në debutimin tim. Por nuk jam dorëzuar. Kam punuar shumë dhe jam kthyer për të shënuar fitoren e parë. Tani do të kthehem në palestër dhe do të punoj edhe më shumë”, ka theksuar Brahimaj.

Ai është shqiptari i dytë në UFC. Karrierë më të gjatë dhe për momentin edhe më të suksesshme ka Ilir Latifi.