UEFA përjashtoi tifozët e Dinamo Zagrebit, të dielën, nga të gjitha ndeshjet në udhëtim në garat evropiane të futbollit këtë edicion pasi një tifoz grek u vra në përleshje të dhunshme në Athinë këtë muaj. Vendimi u njoftua disa orë pasi Dinamo Zagrebi u eliminua nga Liga e Kampionëve me kthimin e tij në Greqi për të luajtur ndeshjen e shtyrë të raundit të tretë kualifikues kundër AEK-ut të Athinës.
Ndeshja ishte planifikuar më datën 8 gusht dhe ishte dueli i parë në kuadër të këtij raundi, por më pas u shty pas vdekjes së një tifozi 29-vjeçar, Michalis Katsouris, në përleshjet e dhunshme pranë stadiumit të AEK-ut. Gati 100 shtetas kroatë janë arrestuar në Athinë me akuza përfshirë vrasjen, sulmin dhe anëtarësimin në një organizatë kriminale.
Tifozët e Dinamos kishin udhëtuar drejt Athinës, pavarësisht se klubit i ishte ndaluar nga UEFA të shiste bileta për ndeshjen, e cila u klasifikua si tejet e rrezikshme. Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, u takua me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, të mërkurën, në Athinë, për të diskutuar se si të trajtohet dhuna mes tifozëve të futbollit. UEFA tha të dielën se të gjitha ndeshjet e Dinamos tani “konsiderohen të jenë me rrezik të lartë dhe kjo u konfirmua për fat të keq nga graviteti ekstrem i incidenteve” në Athinë. Dinamo u urdhërua tani që “në bashkëpunim me autoritetet përkatëse politike, të sigurisë publike dhe të futbollit në Kroaci, për të hartuar dhe zbatuar një strategji për të çrrënjosur dhunën e lidhur me futbollin e lidhur me klubin e tyre”, tha UEFA. Tifozët e skuadrave që janë tërhequr me short për të luajtur me Dinamon – duke filluar nga Sparta Praga të enjten – mund të marrin ende biletat e tyre për ndeshjet në Zagreb.
“Dinamo dhe autoritetet përkatëse publike duhet të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e tifozëve vizitorë”, tha UEFA.
Dinamo e Zagrebit luan me Spartën në një plejof me dy ndeshje, ndërsa dueli i kthimit do të zhvillohet në Pragë më 31 gusht. Fituesi i këtyre dueleve kalon në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, që është gara e nivelit të dytë të UEFA-s. Humbësi shkon në grupet e Ligës së Konferencës, duke siguruar që Dinamo të ketë edhe gjashtë ndeshje të tjera në kuadër të garave të UEFA-s – tri në shtëpi dhe jashtë – nga muaji shtator deri në dhjetor të këtij viti. AEK-u shënoi dy gola në kohën shtesë, të shtunën mbrëma për të barazuar 2:2 me Dinamon e Zagrebit për të avancuar në plejofin e Championsit me rezultatin e përgjithshëm 4:1. AEK-u, ditë më parë, e fitoi edhe ndeshjen në Zagreb me rezultatin 2:1. Golin vendimtar për AEK-un e shënoi mbrojtësi veteran i Kroacisë, Domagoj Vida, që realizoi me kokë për ta mposhtur portierin e Dinamos, Dominik Livakoviq. Vida nuk e festoi golin për shkak se mposhti bashkëlojtarin e tij nga Përfaqësuesja e Kroacisë. Tifozët e AEK-ut kanë mbajtur një imazh të tifozit të ndjerë, Katsouris, në tribunë gjatë tërë ndeshjes me Dinamon.