Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq është subjekt i një hetimi të UEFA-s për dyshimet se ka interesa financiare në një kompani bastesh.
Dy javë më parë mediat e Suedisë kanë bërë të ditur se 39-vjeçari mund të përballet me dënim prej tri vjetësh, për shkak të partneritit në një kompani bastesh me bazë në Maltë.
Dënimi eventual do ta përfundonte karrierën e sulmuesit të njohur, që javë më parë luajti në Prishtinë për Suedinë. Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) të hënën ka njoftuar se po zhvillon hetime ndaj Zlatanit, që ditë më parë vazhdoi kontratën me Milanin.
UEFA ka caktuar një inspektor të etikës dhe disiplinës për të kryer një hetim disiplinor lidhur me një shkelje të mundshme të Rregulloreve Disiplinore të UEFA-s nga Ibrahimoviq.