Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka pranuar se edicioni aktual i futbollit mund të anulohet. Sipas të parit të futbollit evropian kjo do të ndodhë vetëm nëse garat e futbollit nuk rifillojnë deri në fund të qershorit.
Konfederata Evropiane e Futbollit po angazhohet maksimalisht për të pasur plane të ndryshme për vazhdim të edicionit, por presidenti i saj ka thënë se çdo gjë varet nga pandemia e koronavirusit. Aktualisht futbolli është i pezulluar në gjithë Evropën, pos në Bjellorusi. Të pezulluara janë edhe ndeshjet evropiane, ndërsa nuk ka vendim se kur do të rifillojnë garat.
“Në këtë moment dramatik gjëja më e rëndësishme është shëndeti i njerëzve dhe dalja nga kjo krizë”, ka thënë Ceferin për La Repubblica.
“Natyrisht, ndërprerja e futbollit simbolizon se Evropa dhe bota janë ndalë. Ne nuk e dimë kur do të përfundojë pandemia, por kemi planet A, B e madje edhe C. Ne jemi në kontakt me ligat, me klubet, ndërsa kemi edhe një grup punës. Ne duhet të presim, si të gjitha sektorët tjera”.
Ai ka folur për mundësi të ndryshme. Ka thënë se gara e futbollit mund të kthehet në mes të majit, në mes të qershorit apo në fund të qershorit.
“Më pas, nëse nuk kemi sukses, stinori me gjasë do të humbas. Është edhe propozimi që stinori aktual të përfundoj në fillim të stinorit të ardhshëm, që do të nënkuptonte që stinori i ardhshëm do të shtyhej, do të fillonte pak më vonë. Do të shohim cilat janë zgjidhjet më të mira për liga të caktuara dhe për klube”, ka theksuar Ceferin.
Edhe
UEFA mbron vendimin për ndeshje ndërkombëtare në shtator
Ai ka thënë se është e vështirë të imagjinohet që futbolli mund të luhet në stadiume të mbyllura. Sipas Ceferinit tani UEFA madje nuk e di nëse do të vazhdoj edicioni.
“Nëse nuk ka alternativa tjera, do të ishte më mirë të anulojmë kampionatet. Unë mund të them se nuk mund të mendojë për finale të kupave evropiane që të luhen në stadiume pa shikues”.