Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çeferin: Stinori në Evropë do të përfundojë në gusht

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka thënë se plani është që stinori 2019-20 i futbollit në Evropë të përfundohet në gusht, përfshirë këtu edhe Ligën e Kampionëve e Ligën e Evropës.

Shumica e ligave evropiane të futbollit janë pezulluar në mars shkaku i pandemisë së koronavirusit, por disa liga kanë njoftuar se planifikojnë të rifillojnë në javët në vijim.

Stinorët elitarë në Francë dhe Holandë janë anuluar, siç është anuluar edhe ai në Belgjikë. Ndërkophë Bundesliga e Gjermanisë ka rifilluar të shtunën.

Çeferin pret së paku 80 për qind e ligave nacionale të përfundohen.

“Ne e kemi një ide, por duhet të presim komitetin ekzekutiv të UEFA-s për të konfirmuar datat. Mund të them se stinori në Evropë do të përfundohet, nëse gjërat mbesin siç janë tash, në gusht. Siç duken gjërat, unë jam i sigurt se mund ta përfundojmë stinorin evropian dhe kjo nënkupton edhe garat e UEFA-s”, ka thënë Çeferin për beIN Sports. “Mendoj se shumica e ligave do ta përfundojnë stinorin. Ato që nuk e përfundojnë, është vendin i tyre. Por, prapë duhet të luajnë kualifikime nëse duan të marrin pjesë në garat evropiane të UEFA-s”.

Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës ende nuk e ka kompletuar fazën e 1/8 së finales.

Edhe Çeferin: Stinori të përfundojë deri më 3 gusht Sport Çeferin: Stinori të përfundojë deri më 3 gusht

Paris Saint-Germain, që është shpallur kampion i Francës, po shikon të luajë jashtë ndeshjet në Ligën e Kampionëve, pasi Qeveria franceze ka ndaluar sportet profesioniste deri në shtator.

“Paris Saint-Germaini dhe Lyoni...duhet të organizojnë ndeshjet në Francë. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë duhet të organizojmë ndeshjet në terrene neutrale. Nëse nuk mund të luash në shtetin tënd, atëherë duhet të organizosh ndeshjet në terren neutral. Nuk shoh arsye pse autoritetet franceze nuk lejojnë organizimin e ndeshjeve pa shikues, por të shohim. Është jashtë fuqive të mia”, ka thënë Çeferin.

Euro 2020, i paraparë të organizohet në 12 qytete nëpër Evropë, është shtyrë deri vitin e ardhshëm.

“Ne kemi biseduar me nëntë qytete dhe çdo gjë duket e mundur. Me tri qytete, ende ka disa çështje. Kështu që do të vazhdojmë diskutimet. Në parim, do ta organizojmë Evropianin në 12 qytete, por nëse jo, atëherë në dhjetë, nëntë apo tetë”, ka thënë slloveni.