Sport

UEFA dhe trajnerët më të mirë bashkohen për të kërkuar lehtësimin e rregullës së lojës me dorë

Edicionin e ardhshëm pritet që të ketë më pak penallti të akorduara për shkak të lojës me dorë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Pasi mblodhi trajnerët elitarë, përfshirë Zinedine Zidanen e Juergen Klinsmannin për të diskutuar ligjet e lojës, UEFA tha të martën se bordi i saj i ri i futbollit ra dakord për udhëzime të reja për gjyqtarët në garat evropiane.

“Bordi rekomandon që UEFA duhet të sqarojë se asnjë prekje me dorë gjatë ndeshjes nuk duhet të referohet ndaj një lojtari nëse topi është devijuar më parë nga trupi i tij dhe, në veçanti, kur topi nuk shkon drejt portës”, tha organi evropian i futbollit.

Trajnerët ranë dakord gjithashtu që “jo çdo lojë me dorë duhet të çojë automatikisht në penallti pas çdo gjuajtjeje në portë”, tha UEFA. Sipas konfederatës evropiane, gjyqtarët duhet të tregojnë kartonë të verdhë për lojtarët që simulojnë se janë lënduar ose pretendojnë se janë faulluar.

UEFA mund të japë udhëzime specifike për gjyqtarët në garat e veta, por nuk mund të ndryshojë ligjet themelore të lojës së futbollit. Ky proces menaxhohet nga FIFA, përmes panelit të rregullave të njohur si IFAB, i cili mblidhet çdo vit. Ai përbëhet nga zyrtarë të FIFA-s dhe prej katër federatave britanike të futbollit, duke lënë zakonisht ndikimin e UEFA-s të paqartë ose të kufizuar.

Bordi inaugurues i futbollit u mblodh të hënën në Nyon, tri javë pasi presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, premtoi se do të krijohej dhe do të shqyrtonte çështjen e lojës me dorë. Çeferin ka thënë se rregullat ishin gjithnjë e më konfuze për lojtarët dhe tifozët. Trajnerët i kërkuan UEFA-s që të lobojë në IFAB për ta ndryshuar nenin 12 në mënyrë që të tregohen më pak kartonë të kuq për lojën me dorë. Neni aktual kërkon që një lojtar të përjashtohet me karton të kuq për lojë me dorë që pengon një gol ose një mundësi të dukshme për të shënuar.

“Bordi mendon se lojtarët duhet të përjashtohen vetëm nëse me qëllim prekin topin me dorën/krahun e tyre”, tha UEFA.

Bordi i ri i futbollit ringjall atë që ishte një forum vjetor i trajnerëve që mbahej çdo shtator, kur UEFA drejtohej nga Michel Platini. Grupi i ri udhëhiqet nga Zvonimir Boban, ish-lojtari i Kroacisë dhe Milanit, i cili më parë ka punuar në FIFA dhe tani është këshilltari kryesor i Çeferinit.

“Rregulli i lojës me dorë, për shembull, gjithmonë do të kundërshtohet, por ne mund ta bëjmë atë më të qëndrueshëm dhe të përafruar me natyrën e vërtetë të lojës”, tha Boban.

Takimi përfshiu trajnerët e përfaqësueseve si Gareth Southgate (Anglia), Ronald Koeman (Holanda) dhe Roberto Martinez (Portugalia), si dhe Philipp Lahmin, ish-kapitenin e Gjermanisë. Lahm po mbikëqyr komitetin organizativ gjerman për Kampionatin Evropian 2024, ku duhet të zbatohen udhëzimet e përditësuara për gjyqtarët.