Sport

Udinese, ekipi i momentit në Serie A

Është një nga të paktat klube të Serie A që ka stadiumin e vet, ka qenë në pronësi të së njëjtës familje për 36 vjet dhe ka qëndruar në divizionin më të lartë të futbollit italian për më shumë se një çerek shekulli.

Udinese është klubi i momentit në elitën e futbollit italian, pas pesë fitoreve rresht. Më i merituari për këtë formë është trajneri Andrea Sottil, i cili drejton skuadrën në Serie A për herë të parë. Ai ka luajtur për Udinesen si mbrojtës nga viti 1999 deri në vitin 2003, kur klubi verilindor fitoi Kupën Intertoto të UEFA-s.

“Është njësoj si kur u largova, një klub ambicioz, me ambiente, shërbime dhe organizim të nivelit të lartë”, tha Sottil për Corriere della Sera. “Gjithçka e nevojshme për të punuar mirë është këtu. Dhe ka një nga stadiumet më të bukura në Evropë”.

Me lojtarë fizikë në përbërje, si qendërmbrojtësi brazilian Rodrigo Becao dhe qendërsulmuesi portugez Beto, së bashku me veteranët cilësorë si Roberto Pereyra dhe Gerard Deolofeu, Udinese nuk ka humbur qëkur u mund nga kampioni në fuqi i Italisë, Milani, në xhiron e parë në “San Siro”. Më pas erdhi një barazim me Salernitanan, ku Udinese u reduktua në 10 lojtarë. Pasoi seria aktuale e fitoreve që bëri që Udinese të ngjitet në vendin e tretë në tabelë me 16 pikë, një më pak se Napoli e Atalanta që ndajnë dy pozitat e para. Udinese shkatërroi Romën e Jose Mourinhos, 4:0, dhe mundi kampionin e edicionit 2020/21, Interin, me rezultatin 3:1 në ndeshjen e fundit para pushimit ndërkombëtar.

Me 15 gola të shënuar, skuadra e trajnerit Sottil është më efikasja në ligë së bashku me Napolin. Udinese golat i ka shënuar me nëntë lojtarë të ndryshëm. Beto ka shënuar katër gola derisa nga dy i shënuan 19-vjeçari Destiny Udogie, i cili është i huazuar nga Tottenhami, dhe mesfushori i Gjermanisë U21, Lazar Samarxhiq.

“Ne nuk do të emocionohemi shumë, sepse e dimë se sa e vështirë është Seria A dhe sa të forta janë ekipet e qyteteve të mëdha”, tha Gianpaolo Pozzo, pronari 81-vjeçar i Udineses. “Ne duhet të marrim lojtarë me shumë potencial dhe t'i bëjmë ata të përmirësohen me shpejtësi për të realizuar synimet tona”.

Pozzo është pronar edhe i Watfordit në Angli, i cili ka furnizuar Udinesen me lojtarë si Deolofeu.

“Dua të kthehem në Evropë siç kemi bërë shumë herë më parë”, tha Pozzo, duke iu referuar 11 paraqitjeve të Udineses në garat e UEFA-s, përfshirë këtu edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në vitin 2005.

Të hënën Udinese viziton Hellas Veronën, pasuar nga ndeshjet sfiduese ndaj Atalantas dhe Lazios.

“Le të shpresojmë se do ta arrijmë qëllimin tonë dhe më pas do të mund të argëtohemi pak në Evropë”, insistoi Pozzo.

Gjatë 45 ditëve të ardhshme janë planifikuar 116 ndeshje të Serie A, dhe vetëm katër ditë pa duele. Më pas ka një pushim gati dymujor për shkak të Kupës së Botës “Katari 2022”.

Kampionati italian rifillon të shtunën me tri ndeshje, ndërsa vëmendja do të jetë te derbi mes Interit dhe Romës.