Sport

Pas viteve me trazira, skuadrat e Milanos kthehen në elitën evropiane

Milan - Inter

Fillimisht erdhi kthimi në majat e futbollit italian, tani vjen shansi për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve.

Skuadrat e qytetit të Milanos janë rikthyer. Por vetëm njëra do të ketë mundësinë për të luftuar për çmimin kryesor të futbollit evropian. Milani përballet me rivalin e qytetit, Interi, në gjysmëfinalen e Championsit. Fituesi do të përballet me Real Madridin ose Manchester Cityn në finale.

Kampioni i trefishtë evropian, Interi, ishte klubi i fundit italian që e ngriti trofeun kontinental, kur fitoi “tripletën” – titullin e Serie A, kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve - nën drejtimin e Jose Mourinhos në vitin 2010. Milani e fitoi trofeun e fundit nga shtatë sa i ka në Champions, në vitin 2007.

“Të jesh pjesë e një klubi si ky është një ëndërr”, tha mbrojtësi i Milanit, Fikayo Tomori. “Të luash në ‘San Siro’ në Ligën e Kampionëve, është diçka madhështore. Fakti që dy skuadra italiane janë në gjysmëfinale është pa dyshim mirë për ligën, mirë për futbollin italian. Pa dyshim që ne duam të avancojmë në finale, pasi duam të jemi më të mirët”.

Milani pret Interin të mërkurën mbrëma, përpara ndeshjes së kthimit që luhet të martën e ardhshme. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në “San Siro”, pasi skuadrat ndajnë stadiumin.

“Ne kemi dy ndeshje vërtet emocionuese që vijnë”, tha Tomori. “Dy ndeshje ku ne mund të dëshmohemi si ekipi më i madh i Italisë”.

Që nga triumfet e fundit të skuadrave të Milanos në Evropë, ka pasur rënie në fushë dhe trazira jashtë saj, me të dy klubet që kanë ndryshuar pronësinë disa herë dhe trajnerët edhe më shpesh. Megjithatë, pas këtyre viteve të turbullta, Interi dhe Milani i dhanë fund pritjeve të gjata për një titull në Serie A përpara se të ktheheshin përfundimisht në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Interi ka pasur 14 trajnerë të ndryshëm qëkur Mourinho u largua pasi fitoi Ligën e Kampionëve. Rafael Benitez zëvendësoi Mourinhon, por ai qëndroi disa muaj përpara se të shkarkohej. Pjesa tjetër e listës përfshijnë Claudio Ranierin, Roberto Mancinin dhe Antonio Conten. Trajneri aktual i Real Madridit, Carlo Ancelotti, udhëhoqi Milanin drejt trofeut të Championsit në vitin 2007 - dhe gjithashtu në vitin 2003 - por ai u largua në vitin 2009. Që atëherë ka pasur 10 trajnerë të ndryshëm në krye të Milanit. Trajneri aktual i Milanit, Stefano Pioli, ishte në krye të Interit në edicionin 2016/17. Interi tani drejtohet nga Simone Inzaghi, i cili është shfaqur disi si specialist i kupës. Ai udhëhoqi Lazion dhe Interin drejt triumfit në Kupën e Italisë. Interi këtë edicion është në finalen e Kupës së Italisë, ndërsa Inzaghi e udhëhoqi ekipin drejt dy triumfeve në Superkupën e Italisë, sukses ky që e shijoi edhe si trajner i Lazios.

Gjigandi kinez i shitjes me pakicë “Suning” dhe firma me bazë në SHBA, “Elliott Management” i kthyen gjërat në rrugën e duhur për klubet e Milanos, të cilat ishin nën kujdesin e pronarëve afatgjatë italianë herën e fundit që ishin në krye të futbollit evropian.

“Suning” mori Interin në vitin 2016, duke i dhënë fund një mbretërimi trevjeçar të biznesmenit indonezian Erick Thohir. Massimo Moratti ishte në krye të Interit që nga viti 1995 përpara se t'i shiste shumicën e aksioneve të klubit te Thohiri. Pesë vjet pasi “Suning” mori klubin, Interi fitoi titullin e parë të Serie A, pas më shumë se një dekade. Ky ishte trofeu i parë i Interit që nga viti 2011 dhe titulli i parë i ligës që nga viti 2010. Milani ishte gjithashtu në pronësi të shkurtër të një grupi kinez, i cili bleu klubin nga Silvio Berlusconi në vitin 2017, duke i dhënë fund një epoke prej më shumë se 30 vjetësh. Megjithatë, kinezët nuk arritën të shlyenin një pjesë të një kredie dhe Milani u mor nga “Elliott” vitin pasues. “Elliott” ndihmoi klubin të përmirësonte situatën financiare dhe pasi përfundoi i dyti pas Interit në vitin 2021, Milani i dha fund pritjes 11-vjeçare për titullin e kampionit në Serie A edicionin e kaluar. Menjëherë pas kësaj, klubi iu shit një firme tjetër amerikane të investimeve, “RedBird Capital Partners”. Interi dhe Milani ishin ndër klubet që duhej të paguanin gjoba në fillim të kampionatit për shkeljen e rregullave të ferplejit financiar. Interi kishte paguar gjithashtu një gjobë në vitin 2015, ndërsa Milani kishte përballuar një dënim edhe më të ashpër pas shpenzimeve të tepërta nën pronarët kinezë. Kur “Elliott” mori drejtimin, Milani ishte përfshirë tashmë në një rast me UEFA-n për shkeljet e ferplejit financiar, që më vonë e pa klubin të tërhiqej vullnetarisht nga pjesëmarrja në Ligën e Evropës (2019/20) për të shmangur gjobën.