Sport

Kthimi i klubeve të Milanos në elitën evropiane

AC Milan - Inter

Dy klube italiane me histori të pasur janë kthyer në elitën evropiane të futbollit pas më shumë se një dekade.

Interi nuk ka qenë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve qëkur shkoi në atë fazë si kampion në fuqi në vitin 2011. Rivali i qytetit, Milani, për herë të fundit arriti në mesin e tetë skuadrave më të mira të Championsit në vitin 2012. Që atëherë ka pasur rënie në fushë dhe trazira jashtë saj, me dy klubet që kanë ndryshuar pronësinë disa herë, ndërsa trajnerët edhe më shpesh.

Megjithatë, pas vitesh pa shkëlqim, të dyja skuadrat i dhanë fund pritjes së gjatë për titull në Serie A, përpara se të ktheheshin përfundimisht në krye të futbollit evropian. Në mungesë të tyre, asnjë ekip italian nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve, edhe pse Juventusi përfundoi dy herë nënkampion. Milani do të presë liderin e Serie A, Napolin, në ndeshjen e parë çerekfinale, të mërkurën, një ditë pasi Interi do të vizitojë Benfican.

Interi ishte skuadra e fundit italiane që ngriti trofeun, kur fitoi “tripletën”, me titullin e kampionit të Serie A, Kupën e Italisë dhe trofeun e Ligës së Kampionëve nën drejtimin e Jose Mourinhos në vitin 2010. Para kësaj Milani e fitoi trofeun e fundit nga shtatë gjithsej të Ligës së Kampionëve, në vitin 2007. Kur klubet e qytetit të Milanos ishin në krye të futbollit evropian ato ishin nën kujdesin e pronarëve afatgjatë, Silvio Berlusconi dhe Massimo Moratti. Moratti, i cili mbajti Interin që nga viti 1995, shiti shumicën e aksioneve të klubit te një konsorcium indonezian i drejtuar nga Erick Thohir në vitin 2013. Gjigandi i shitjes me pakicë nga Kina “Suning” mori përsipër klubin tre vjet më vonë, pak para se te Milani të vinte një pronar kinez. Ish-kryeministri italian Berlusconi kishte kontrolluar Milanin për më shumë se 30 vjet përpara se t'ia shiste aksionet një konzorciumi kinez në vitin 2017.

Fondi me bazë në SHBA, “Elliott Management” mori përsipër klubin vitin pasues. Milani iu shit një firme tjetër amerikane të investimeve, “RedBird Capital Partners”, vitin e kaluar. Nën drejtimin e ish-trajnerit të Juventusit dhe Italisë, Antonio Conte, Interi fitoi titullin e parë në Serie A në më shumë se një dekadë në vitin 2021, pasi i dha fund kontrollit të ekipit nga Torino në ligë. Ky ishte trofeu i parë i Interit që nga viti 2011 dhe titulli i parë në kampionat që nga viti 2010.

Milani përfundoi i dyti atë sezon dhe shkoi më mirë në vitin 2022 pasi i dha fund pritjes 11-vjeçare për titullin e kampionit në Serie A. Në Evropë, Interi arriti në fazën eliminatore të Championsit sezonin e kaluar. U eliminua nga Liverpooli në 1/8 e finales, pavarësisht se fitoi në stadiumin “Anfield Road”. Arriti në finalen e Ligës së Evropës në vitin 2020, por humbi nga Sevilla. Ndërkohë, Milani u kthye në garën elitare të klubeve evropiane për herë të parë në tetë vjet, sezonin e kaluar, por u eliminua në fazën e grupeve. Këto dy skuadra mund të përballen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, nëse arrijnë t’i kalojnë kundërshtarët që i kanë përballë në çerekfinale.

“Të luajmë në Champions është gjithmonë emocionuese dhe me padurim po presim ndeshjen e radhës. Në çerekfinale këtë sezon kanë arritur ekipe të mëdha dhe kjo do të thotë se kemi bërë një sezon të mirë. Megjithatë, do të ishte edicion edhe më i suksesshëm nëse e kalojmë edhe këtë fazë, e që nuk do të jetë aspak lehtë”, ka pranuar trajneri i Milanit, Stefano Pioli.