Me fuqinë e tij masive shpenzuese, arritja e Manchester Cityt në finalen e Ligës së Kampionëve vështirë se ka ardhur si befasi. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Interin, kundërshtar i Cityt të shtunën në Stamboll. Ndërsa Interi është një nga skuadrat më të njohura të futbollit evropian, ai hyn në lojë si një i huaj, duke arritur disi çuditërisht në finale. Në fund të fundit, Interi është skuadra e tretë më e mirë në Itali, një ligë që prej kohësh ka humbur shkëlqimin e saj, pasi konsiderohet si destinacioni përfundimtar për lojtarët më të mirë të botës në vitet 1990. Interi e përfundoi edicionin me 18 pikë pas kampionit të ligës, Napol, skuadër që shumëkush priste të shkonte në Champions përpara se të eliminohej nga Milani në çerekfinale. Inter e mposhti rivalin e tij të qytetit në gjysmëfinale për të kaluar në finalen e garës elitare të futbollit evropian të klubeve për herë të parë në 13 vjet.
Për ta vënë këtë arritje në kontekst, kjo ishte hera e parë që Interi ishte në çerekfinale që nga viti 2011, kur ishte kampion në fuqi. Por është gjithashtu një klub që ka shijuar suksesin në vitet e fundit pasi fitoi ligën italiane në 2021, Kupat e Italisë në vitin 2022 dhe 2023 dhe Superkupën e Italisë këtë edicion.
“Manchester City ka fituar dy trofe këtë edicion, por edhe Interi. Ata do të përballen me një kundërshtar që meriton të jetë në Stamboll po aq sa ata”, tha trajneri i Interit, Simone Inzaghi.
Fuqia në futbollin evropian ka ndryshuar ndjeshëm që kur Interi fitoi për herë të fundit trofeun në vitin 2010. Në atë kohë City ishte ende duke pritur për trofeun e tij të parë të madh që nga viti 1976. Por, i mbështetur nga familja në pushtet e Abu Dhabit, që atëherë City ka fituar 16 trofe të tjerë, duke përfshirë shtatë tituj të Premier Leagues. Sivjet City po tenton të bëhet vetëm skuadra e dytë angleze që fiton tre trofetë më të mëdhenj në një edicion - Premier Leaguen, Championsin dhe Kupën FA. Vetëm Interi mund ta ndalojë Cityn të imitojë tripletën e Manchester Unitedit nga viti 1999. Duke parë në letër dy skuadrat përkatëse, disa mund ta konsiderojnë atë një mospërputhje. Ndërsa City ka nënshkrime të superyjeve, si Erling Haaland, Jack Grealish dhe Kevin De Bruyne, Interi ka një përzierje lojtarësh që kanë arritur të rinisin ose zgjasin karrierën e tyre në klub. Edin Xheko, për shembull, është 37 vjeç dhe u largua nga City tetë vjet më parë, duke qenë pjesë e ekipit të parë fitues të titullit nën pronësinë e Abu Dhabit në vitin 2012. Henrikh Mkhitaryan është 34 vjeç dhe ka zhgënjyer me paraqitjet e tij si te Manchester Unitedi ashtu edhe në Arsenal. Matteo Darmian, 33 vjeç, gjithashtu nuk pati një ndikim të madh tek Unitedi. Romelu Lukaku përgjithësisht konsiderohej se kishte dështuar pas shpenzimeve të mëdha parash si për Unitedin ashtu edhe Chelsean, por është një nga lojtarët kryesorë të Interit. Po kështu, yll i Interit është edhe Lautaro Martinez, i cili fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në dhjetor kur shënoi penalltinë e fitores në goditjen finale kundër Francës. Por ndërsa Interi dikur kishte fuqinë tërheqëse për të joshur lojtarë si Ronaldo, Christian Vieri dhe Luis Figo, ai nuk mund të konkurrojë me fuqinë shpenzuese të Cityt, i cili ka mbledhur ndoshta skuadrën më të fortë në futbollin e klubeve përmes pasurisë së pronarëve të tij. Interi ka vuajtur pasi futbolli italian është lënë në hije nga Premier League, e cila ka një popullaritet të madh në mbarë botën dhe përfiton nga të ardhurat masive të transmetimit.
Interi është në pronësi të gjigantit të shitjes me pakicë “Suning” nga Kina dhe raportoi një humbje prej 285 milionë dollarësh për vitin financiar 2020-21, që ishte më e larta ndonjëherë për një klub të ligës italiane. Kjo u fajësua kryesisht për ndikimin e COVID-19 dhe faktin që duhej të luante pa shikues. Në maj të vitit 2021, gjithashtu siguroi një marrëveshje financimi me fondin amerikan të investimeve “Oaktree Capital”, që thuhet se përfshinte një injeksion parash prej 336 milionë dollarësh. Fitoi ose humbi, arritja e Interit në finale duhet të jetë fitimprurës. Fituesi i vitit të kaluar Real Madrid mori 146.4 milionë dollarë në para, ndërsa nënkampioni Liverpool fitoi 131.4 milionë dollarë nga fondi i çmimeve të UEFA-s në Ligën e Kampionëve prej 2.2 miliardë dollarësh. Por tifozët e Interit do të ëndërrojnë për një kupë të katërt evropiane. Interi ishte skuadra e fundit italiane që fitoi trofeun e Championsit, kur Jose Mourinho e udhëhoqi drejt tre trofeve, së bashku me titullin e ligës dhe Kupën e Italisë. Inzaghi është trajner tani, edhe pse pozicioni i tij dukej i rrezikuar që në prill. Pas një rruge të pamundur për në finale, ai synon të bëjë goditjen më të madhe nga të gjithë kundër një skuadre të Cityt që duket e pandalshme.