Manchester City do të luajë në finalen e dytë të Ligës së Kampionëve brenda tre vjetëve. Do të takohet me Interin në Stamboll, të shtunën prej orës 21:00.
Në finalen e vitit 2021, City u mposht me rezultatin 1:0 nga skuadra e Chelseat. Në finalen e këtij edicioni City po vlerësohet favorit i madh përballë Interit. Ekipi i Pep Guardiolas po e kërkon suksesin e parë evropian në histori. City e mbyll edicionin me tripletë nëse triumfon në Champions, pasi tashmë e ka fituar titullin e kampionit në Premier League dhe trofeun e Kupës FA. Me tripletë, City do të bëhet vetëm skuadra e dytë angleze që do ta arrinte këtë sukses pas Manchester Unitedit në vitin 1999.
Faza e grupeve
City kishte një grup mjaft të mirë që përfshinte Borussia Dortmundin, një skuadër të Sevillas që pati një fillim të dobët të edicionit dhe ekipin nga Danimarka, Copenhagen. City e kaloi atë duke fituar tri ndeshjet e para – 4:0 në Sevilla, 2:1 në shtëpi me Dortmundin dhe 5:0 në shtëpi me Copenhagenin - përpara se një barazim 0:0 në Danimarkë të siguronte një vend në 1/8 e finales kur kishin mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar. Ishte hera e parë që City nuk arriti të shënonte në një ndeshje këtë edicion, megjithëse skuadra luajti më shumë se një orë me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Sergio Gomezit. Riyad Mahrez dështoi nga penalltia. City luajti pa gola edhe në udhëtim te Dortmundi për ta mbyllur fazën e grupeve me fitore 3:1 në shtëpi kundër Sevillas.
Pika kryesore e fazës së grupeve për Cityn ishte goli fantastik i Erling Haalandit në fitoren e thellë ndaj Dortmundit, ish-klubit të sulmuesit norvegjez.
1/8 e finales
Ndeshja e dytë kundër Leipzigut ishte ndeshja më efikase e Haalandit me fanellën e Cityt. Sulmuesi shënoi pesë gola në fitoren 7:0. City avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 8:1. Vetëm dy lojtarë – Lionel Messi dhe braziliani Luiz Adriano – kishin shënuar më parë pesë gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Ishte humbja më e rëndë evropiane për Leipzigun dhe një tronditje duke pasur parasysh mënyrën se si skuadra gjermane shqetësoi Cityn në disa raste në barazimin 1:1 në ndeshjen e parë, ku Mahrez shënoi golin e parë. Leipzigu ishte shumë i hapur në ndeshjen e kthimit, duke i mundësuar Cityt që të tregohej i pandalshëm. Në këtë triumf të thellë shënuan edhe Ilkay Guendogan e Kevin De Bruyne.
Çerekfinalja
Fitorja me rezultatin e përgjithshëm 4:1 e Manchester Cityt ndaj Bayern Munichut nuk ishte aq bindëse sa sugjeron rezultati, siç tha më vonë trajneri Pep Guardiola. City ishte klinik në fitoren 3:0 në ndeshjen e parë në “Etihad”, me mesfushorin Rodri që zhbllokoi rezultatin me një gol nga distanca në pjesën e parë, përpara se Bernardo Silva dhe Erling Haaland ta kompletonin fitoren me rezultatin bindës.
City ishte duke u lëkundur në fillim të ndeshjes së dytë, por u mbajt dhe arriti të kalonte në epërsi përmes Haalandit pas një kundërsulmi të udhëhequr nga belgu De Bruyne. Haaland kishte gjuajtur mbi portë nga penalltia, përpara se Joshua Kimmich të shënonte nga pika e bardhë për rezultatin 1:1, por që nuk i kreu punë Bayernit.
Gjysmëfinalja
City u hakmor për eliminimin e dhimbshëm në gjysmëfinale të edicionit të shkuar nga Real Madridi. Në ndeshjen e parë City luajti 1:1 në kryeqytetin spanjoll, përpara se të bënte paraqitjen më të mirë nën drejtimin e Guardiolës dhe për të fituar ndeshjen e dytë me rezultatin e thellë 4:0 në shtëpi. Goli i De Bruynet në pjesën e dytë në “Santiago Bernabeu” anuloi golin po aq madhështor të Vinicius Juniorit, i cili kaloi Realin në epërsi. Shënimi i De Brynet i dha Cityt platformën për të mposhtur ekipin madrilen një javë më vonë.
Portugezi Silva shënoi dy gola në pjesën e parë dhe dy gola të tjerë u realizuan në pjesën e dytë nga Manuel Akanji dhe Julian Alvarez, në një paraqitje të Cityt të mbushur me fuqi dhe besim.
“Ndihemi të pandalshëm”, tha mesfushori ofensiv i Cityt, Jack Grealish, pasi City konfirmoi kalimin në finale të Championsit.