Trajneri nga Turqia, Ersun Yanal, është i gatshëm ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Një gjë të tillë e ka konfirmuar përfaqësuesi zyrtar i trajnerit Yanal, Erkan Sulejmani. Ai të enjten për KOHËN ka thënë se mundësia është e hapur që Yanal të jetë në krye të “Dardanëve”, pas kontakteve që kanë pasur me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Megjithatë, Sulejmani ka thënë se ende nuk ka asgjë konkrete dhe se janë në pritje të FFK-së. FFK-ja të mërkurën njoftoi se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv është diskutuar edhe çështja e përzgjedhjes së trajnerit, proces i cili do të përfundojë së shpejti.
“Komiteti ekzekutiv diskutoi edhe zgjedhjen e përzgjedhësit të Kombëtares ‘A’ dhe konstatoi se presidenti i FFK-së dhe Komisioni janë në bisedime me disa trajnerë dhe çështja e përzgjedhjes do të dihet shumë shpejt dhe në kohë të duhur”, thuhej në njoftimin e Federatës.
Të enjten mediumet turke kanë raportuar se Yanal do ta ketë edhe një takim më krerët e FFK-së dhe nëse arrihet marrëveshja atëherë kontrata mes palëve do të firmoset brenda këtij muaji.
Yanal nuk është deklaruar për këtë çështje, ndërsa Sulejmani ka konfirmuar gatishmërinë e teknikut turk për të qenë pasardhës i Bernard Challandesit. Sulejmani ka thënë se Yanal e njeh mirë mentalitetin e kosovarëve, për shkak se prejardhjen e ka nga Prizreni.
“Kemi pasur kontakte me FFK-në dhe gjithçka është e hapur. Jemi në pritje. Ende nuk ka diçka konkrete por Ersun Yanal është i gatshëm për ta marrë drejtimin e Kosovës”, ka thënë Sulejmani.
Yanal, 60-vjeçar, është i lirë. Ai vitin e shkuar u largua nga skuadra e Antalyasporit ndërsa si trajner ka punuar prej vitit 1996. Pos që ka drejtuar shumë skuadra turke, Yanal ka qenë edhe përzgjedhës i Turqisë (2004-2005). E drejtoi në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2006.
Karrierën e trajnerit Yanal e ka nisur te Denizlispori për të vazhduar te Yeni Salihlispor, Ankaragucu, Gençlerbirligi, Manisaspori, Trabzonspori, Eskishehirspori e Fenerbahçe.
Ditë më parë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, deklaroi se nuk është takuar me ndonjë trajner nga Turqia, duke shtuar se tashmë ka listën e ngushtë dhe është duke negociuar me pesë trajnerë.
“Asnjëherë turk, pa ndonjë nënçmim, nuk kemi biseduar dhe as nuk i kemi pasur si opsion, për faktin që kemi listën prej pesë trajnerëve finalistë dhe sigurisht kërkojmë diçka të Evropës. Ekipi dhe lojtarët tanë janë që jetojnë në Evropë, kanë kulturën e tyre. Prandaj duam trajner të Gjermanisë dhe Zvicrës, sigurisht kërkojmë një kalibër të tillë evropian”, ishin fjalët e Ademit në një emision televiziv.
Përfaqësuesja e Kosovës është pa trajner prej muajit tetor, kur u largua zvicerani Challandes. Kosovën në dy ndeshjet e nëntorit e ka udhëhequr ndihmësi i Challandesit, slloveni Primozh Gliha, që po ashtu është kandidat për postin e selektorit.
Në mesin e kandidatëve që janë përmendur për ta marrë drejtimin e Kosovës janë: Felix Magath, Roberto Donadoni, Marco van Basten, Adam Nawalka, Jerzy Brzeczek e Sergen Yalcin.
Kosova në mars i luan ndeshjet e ardhshme, që janë miqësore. Tashmë është konfirmuar miqësorja me Zvicrën.