Sport

Turku Bilge, i shtohet shtabit teknik të KB Prishtinës

Ish-asistenti i skuadrave nga Turqia dhe Euroliga, Murat Bilge i është shtuar shtabit teknik të KB Sigal Prishtinës, i cili udhëhiqet nga Ekrem Memnun, në sezonin 2022/23. Klubi kryeqytetas, të mërkurën e ka prezantuar turkun Bilge, që do të jetë përkrah Memnunit.

Bilge ka punuar si asistent te skuadra e Beshiktashit, në Turqi dhe ajo e Spanjës, Baskonia. “Beshiktash dhe Baskonia, dy skuadra të famshme, në të cilat ka dhënë kontribut, trajneri turk do të jetë cilësi shtesë për shtabin teknik kryeqytetas.

Për Beshiktashin shërbeu plot shtatë vite (2013-2020) në Superligën e Turqisë, dhe së fundmi duke qenë asistent në skuadrën, që zuri vendin e katërt në Superligën e Spanjës, Saski Baskonia ish-fituesen e Euroleagues. Dyshja Memnun-Bilge, do të jenë nivel i paparë deri më tani në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Sigal Prishtinës.