Sigal Prishtina ka konfirmuar të martën mbrëma ndarjen me trajnerin Ekrem Memnun. Ai kishte ardhur me bujë, por po largohet vetëm pas një ndeshjeje në Superligën e Kosovës në basketboll.
Prishtina ka thënë se Memnun u largua për arsye personale. Memnun është nga Turqia, por ka prejardhje shqiptare. Ai edhe më herët ka drejtuar Prishtinën. Vlerësohet lartë edhe në Turqi.
“Sigal Prishtina dhe kryetrajneri Ekrem Memnun kanë ndarë rrugët. Memnun iu bashkua projektit të klubit në gusht të këtij viti me ftesë për të përkrahur miqtë e tij në Prishtinë, mirëpo për arsye personale iu desh të largohej nga klubi. Ne, KB Sigal Prishtina, duke qenë të njoftuar për arsyen e largimit, e përkrahim vendimin e tij dhe i urojmë gjitha të mirat në jetën profesionale dhe personale. Ekremi erdhi si mik i klubit dhe po largohet si një mik i madh i klubit. Deri në vendimin e radhës, ekipi do të drejtohet nga Bilge dhe Rashica”, ka njoftuar Sigal Prishtina.
Prishtina të dielën humbi si vendase nga Peja.
KOHA ka mësuar se Memnun është larguar për shkak të zhvillimeve brenda në klub, përkatësisht për shkak të telasheve organizative. Raportet brenda në klub nuk vlerësohen më të mirat.
KOHA ka tentuar të kontaktojë me Memnunin, por ai nuk e ka hapur telefonin.