Sulmuesi belg Romelu Lukaku është i lodhur mendërisht, pasi “ka luajtur shumë”, tha trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, të martën. Transferimi rekord i klubet londinez po kërkon me çdo kusht t’i japë fund shterpësisë para portës kundërshtare.
Lukaku iu bashkua Chelseat nga Interi në muajin gusht për një dëmshpërblim rekord prej 130 milionë eurosh dhe 28-vjeçari la përshtypje fantastike në javët e para të edicionit. Mirëpo, forma e tij ka pësuar rënie të madhe dhe Lukaku nuk ka shënuar gol për Chelsean që nga mesi i muajit shtator. Trajneri gjerman i Chelseat, Tuchel, tha se problemi është se lojtarët e tjerë të ekipit ende nuk janë përshtatur me Lukakun. Tuchel pranoi se belgu është lodhur mentalisht.
“Ekipi është në procesin e përshtatjes me Lukakun. Unë mendoj se ai luajti shumë gara gjatë verës, përfshirë edhe ato me Belgjikën. Kjo do të thotë se ai është lodhur duke luajtur në shumë ndeshje. Pra, është lodhur në aspektin mental”, tha Tuchel. “Secilën ndeshje e merr seriozisht dhe kjo ka ndikuar që Lukaku të mos shënojë që nga muaji i shkuar. Për mua nuk është shqetësim që Lukaku nuk po shënon, por që është lodhur mentalisht”.
Tuchel tha se edhe lojtarët e tjerë në skuadrën e tij kishin orar të ngjeshur për klubin dhe vendin, përfshirë Mason Mountin e Anglisë dhe Jorginhon, i cili triumfoi me Italinë në “Euro 2020”.
“Lojtarët e Chelseat luftojnë shumë në secilën ndeshje dhe për këtë arsye Lukaku paksa është rënduar. Megjithatë, unë besoj se ai do t’u kthehet golave dhe do të na ndihmojë për pjesën më të rëndësishme të sezonit”, u shpreh Tuchel.
Chelsea, kampioni në fuqi i Evropës, zë vendin e dytë në Grupin H të Ligës së Kampionëve pas dy ndeshjeve të luajtura muajin e kaluar. Është në krye të Premier Leagues pas tetë xhirove të luajtura. Tuchel pranoi se jo vetëm forma e Lukakut, por e gjithë ekipit të tij është në rënie kohët e fundit.
“Ne mund të përmirësohemi, por na mungojnë pak forma dhe fati. Mirëpo, jam optimist i madh në përgjithësi. Lukaku do të shënojë gola, kurse ekipi do të kthehet në nivelin më të mirë të lojës”, u shpreh Tuchel.
Chelsea luan ndaj Malmos të mërkurën në Champions.