Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça shpreson ta mbyllë me fitore paraqitjen në FIBA Europe Cup

KB Trepca

Nënkampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, do ta luajë në Mitrovicë ndeshjen e fundit dhe përshëndetëse nga garat evropiane për këtë edicion.

Në palestrën “Minatori”, Trepça të mërkurën prej orës 19:00 e pret skuadrën nga Franca, Gravelines Dunkerque. Kjo ndeshje i takon Grupit G të FIBA Europe Cup, ku Trepça tashmë është eliminuar. Është e fundit në tabelë pas tri humbjeve në po aq ndeshje. Në anën tjetër, Gravelines Dunkerque synon fitoren ndaj Trepçës për të pasur mundësinë që të avancojë në raundin tjetër nga pozita e dytë, pasi ZZ Leideni i Holandës tashmë është kualifikuar si fitues i grupit.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe Hapoel Galil Elioni i Izraelit, por që është tërhequr nga gara.

Për Trepçën ky ishte edicioni i dytë në garat evropiane. Për herë të parë u kualifikua në fazën e grupeve, pasi e fitoi turneun kualifikues në Estoni. Të tri ndeshjet e fazës grupore Trepça i ka humbur dhe të mërkurën shpreson që aventurën evropiane ta mbyllë me fitore, ndonëse do ta ketë vështirë përballë ekipit francez.