Basketbollistët e Trepçës janë djersitur mirë për ta fituar ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit kundër skuadrës së Bashkimit. Në duelin e luajtur të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça ka fituar me rezultatin e ngushtë 92:88.
Më këtë triumf, Trepçës i nevojitet vetëm edhe një fitore për të avancuar në gjysmëfinale, pasi skuadra që shënon dy fitore kalon tutje. Përballja e dytë ndërmjet këtyre dy skuadrave, do të zhvillohet të dielën mbrëma në palestrën “13 Qershori”, ku Bashkimi do të jetë në rolin e ekipit vendas.
Bashkimi u tregua kundërshtar tejet i fortë ndaj Trepçës, që vlerësohej favorite përball ekipit nga Prizreni që në këtë ndeshje pati një mungesë të madhe. Bashkimit i mungoi qendra Samardo Samuels për shkak të lëndimit, por mungesa e tij nuk u vërejt shumë për shkak se lojtarët tjerë u angazhuan maksimalisht për t’i bërë ballë Trepçës.
Çereku i parë u mbyll 29:29, ndërsa periudhën e dytë Trepça e fitoi me shifrat 20:19 për të shkuar në pushim me rezultatin 49:48. Në çerekun e tretë, Trepça krijoi në epërsi të lehtë prej gjashtë pikëve, përpara se ta mbyll ndeshjen me katër pikë dallim. Fitoren e vështirë të Trepçës, e vulosi Jamel Artis me pikët e shënuara nga gjuajtjet e lira kur kishin mbetur edhe tetë sekonda deri në fund të takimit. Ndërkohë, në anën tjetër, Altin Morina ishte i pasaktë nga distanca.
Organizatori Ken Broën ishte më i dalluari te Trepça, duke e mbyllur ndeshjen me 23 pikë e 8 kërcimë, ndërsa Jamel Artis e Drilon Hajrizi. Artis pati 13 pikë, ndërsa Hajrizi shtoi “double-double” prej 11 pikëve e 10 kërcimeve. Në anën tjetër, te skuadra e Bashkimit, katër lojtarë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Daniel Lekndrejaj ishte më i dalluari me 25 pikë, i përcjellë nga Altin Morina (22) e Dajaun Graf (19).