Kuti prej druri të dekoruara me fotografi të deveve, pjata me fotografi të rrokaqiejve të Katarit, gjerdanë ari, kapele futbolli dhe shalle mbërrijnë çdo ditë në tregun Souq Waqif të Dohas, ku tregtarët presin me padurim tifozët e Kupës së Botës. Rrugicat e ngushta të tregut shekullor do të jenë një magnet për një milion ndjekësit e futbollit që priten për turneun i cili nis më 20 nëntor.
“Do të ketë turma të mëdha, ne kurrë nuk kemi përjetuar diçka të tillë”, tha Abdul Rahman Mohammed Al-Nama, i cili organizon shëtitjet me deve dhe kuaj. “Dashtë Zoti, jemi gati”.
Turmat tashmë po shtohen, ndërsa zhurma e Kupës së Botës po rritet. Atraksionet e zonës së tifozëve dhe dyqanet e përkohshme janë duke u ngritur përreth zonës së deveve të Al-Namas dhe qindra dyqaneve të vogla që shesin temjan, erëza, qilima, ar, madje edhe skifterë, zogj dhe kafshë të tjera. Dyqanet do të lejohen të punojnë 24 orë në ditë gjatë Kupës së Botës.
Kur tregu Souq Waqif u hap në fillim të shekullit XX, tregtarët qëndruan në hyrje duke u bërtitur kalimtarëve për të blerë mallrat e tyre. Emri i tij do të thotë "Tregu i përhershëm". I shkatërruar nga një zjarr i madh në vitin 2003, pjesa më e madhe e tregut është rindërtuar me rrugica të destinuara për këmbësorë. Tifozët e huaj “do të argëtohen shumë”, tha Yasmine Ghanem, një anëtare 28-vjeçare e ekipit të golfit të Katarit, e cila ishte ulur në një kafene në Souq Waqif.
“Do të jetë një përzierje e shkëlqyer e kulturës arabe dhe futbollit”, shtoi ajo.
Edhe
Katari përballet me pyetje të shumta kur kanë mbetur edhe 200 ditë deri te Botërori
Çdo mbrëmje tarracat tani janë të mbushura me njerëz që pinë kafe dhe fryjnë tubacionet e duhanit me shisha. Është një zonë pa alkool. Por tregtarët, të cilët prej kohësh po përgatiten për Kupën e Botës, presin më shumë. Al-Nama përmend devetë e mbajtura në një rrethim në një shesh si një atraksion për tifozët e vendeve tjera.
“Mendoj se shumë turistë do të duan të shohin devetë dhe të bëjnë fotografi me to, sepse ato nuk gjenden në Evropë dhe Azinë Lindore”, tha ai.
Dyqanet e suvenireve kanë mbushur raftet. Në dyqanin e tij të vogël ku shet gjerdan ari, Saleh Mohammed po kërkon një motoçikletë që mund të dorëzojë porositë nëpër hotele. Pranë Qendrës Islamike “Sheikh Abdullah bin Zaid Al Mahmoud”, kompania “Al Rawnaq” është përqendruar për dekada në tekstile, rroba të lira dhe lodra. Tani korridoret janë mbushur me shalle, flamuj dhe kapele të zbukuruara me emrat e 32 përfaqësueseve pjesëmarrëse të Botërorit - veçanërisht Katarit mikpritës. Në një cep, një punëtor bën flamuj, disa deri në 10 metra të gjatë. Dhjetëra miliarda dollarë janë shpenzuar për një metro dhe infrastrukturë të re që ia ka dhënë qytetit një ndryshim dramatik.
Jashtë Dohas janë ndërtuar shumë resorte. Katari dëshiron të përdorë Kupën e Botës për të forcuar një kampanjë për të rritur numrin e vizitorëve nga 1.5 milion në gjashtë milionë në vit deri më 2030. Shefi ekzekutiv i “Qatar Airways”, Akbar Al Baker tha se kompania e tij po investon “qindra miliona dollarë” në infrastrukturën e re dhe promovimin e turizmit.
“Katari sigurisht që mund ta përdorë këtë mundësi për ta pozicionuar veten si një destinacion miqësor për familjen”, tha Kamilla Swart-Arries, profesoreshë e lidhur me sportin dhe turizmin në Universitetin Hamad bin Khalifa. “Kupa e Botës thjesht do të përforcojë ndryshimin që njerëzit mund të kenë aktualisht për Dohan dhe Katarin”.
Edhe
Kupa Arabe nuk sjell entuziazëm futbolli në vendin që e organizon Botërorin
Në rrugën Corniche, buzë detit, njerëzit nga Bangladeshi, India, Nepali, Pakistani, Kenia dhe Uganda, që përbëjnë edhe komunitetin më të madh të emigrantëve të Katarit, dynden për të bërë selfie pranë orës që tregon fillimin e kampionatit.
“Unë jam tifoz i Lionel Messit dhe kam biletë për të parë Argjentinën duke luajtur kundër Arabisë Saudite”, tha Anwar Sadath, 56 vjeç, një llogaritar indian. “Do të jetë një ngjarje e paharrueshme”.