Kameruni, Gana dhe Tunizia shkarkuan trajnerët e tyre pas rezultateve të pakënaqshme në Kupën e Afrikës këtë vit, dhe lëvizjet e guximshme iu shpërblyen këtyre përfaqësueseve këtë javë me kualifikim në kampionatin botëror “Katari 2022”, shkruan AFP të mërkurën. Trajneri i Kamerunit, Rigobert Song, i emëruar me nxitim, pa Karl Toko Ekambin të shënonte në minutën e 124-të të martën për të rrëmbyer një fitore 2:1 ndaj Algjerisë në Blida. Trajneri i Ganës, Otto Addo duroi shumë minuta ankthi përpara se një barazim 1:1 kundër Nigerisë në Abuja, të kualifikonte ganezët.
Situatë të pakëndshme pati edhe trajneri i Tunizisë, Jalel Kadri, skuadra e të cilit u mbajt 0:0 në shtëpi nga Mali, por konfirmoi pjesëmarrjen në Botëror falë fitores 1:0 në ndeshjen e parë javën e kaluar. Me duelet e plejofit për kualifikim në Botëror që erdhën pak më shumë se një muaj pasi Senegali fitoi Kupën e Afrikës në Kamerun, asnjë nga trajnerët e rinj nuk ishte në gjendje të organizonte ndeshje përgatitore. Por ata tani janë heronj të menjëhershëm në vendet e tyre, pasi Kameruni pret me padurim paraqitjen e tetë në Botëror, Tunizia të gjashtën dhe Gana të katërtën.
Senegali dhe Maroku ishin ekipet e tjera nga Afrika që po ashtu u kualifikuan për në Katar, por në mënyra të kundërta. Senegali mposhti Egjiptin në penallti, ndërsa Maroku me katër gola triumfoi ndaj Republikës Demokratike të Kongos. Menjëherë pasi udhëhoqi Kamerunin drejt një vendi të tretë në Kupën e Afrikës, portugezi Toni Conceicao u shkarkua pas ndërhyrjes së presidentit të vendit, Paul Biya. Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Song, që është rekordmen me 137 paraqitje te Kameruni, u thirr edhe pse kurrë më parë nuk kishte drejtuar një ekip lart. Humbja në shtëpi ndaj Algjerisë ishte një goditje e madhe, pasi ndeshja e kthimit ishte në Blida dhe Kameruni nuk shihej si favorit. Por Song bindi një ekip të përbërë nga profesionistë me bazë në të gjithë Evropën se mund të arrinin të pamundurën.
“Ne morëm mësimin nga ndeshja e parë. Përcaktimi që të luajmë me dy sulmues në vend të njërit ishte i rëndësishëm. Falë taktikës dhe angazhimit të ekipit siguruam kualifikimin”, tha Song.
Ish-ndihmës trajneri i Borussia Dortmundit, Addo, u bashkua me ish-trajnerin e Newcastle dhe Brightonit, Chris Hughton për t'i dhënë Ganës një triumf të papritur, veçanërisht pas një bllokimi 0:0 në ndeshjen e parë në shtëpi. Ai ia doli pavarësisht mungesës së kapitenit Andre Ayew, i cili u pezullua nga të dy ndeshjet pasi u përjashtua me karton të kuq në humbjen e papritur nga Komorosi në Kupën e Afrikës. Kjo disfatë e zhyti Ganën në një krizë pasi u eliminua pas raundit të parë, gjë që solli shkarkimin e trajnerit Milovan Rajevaç. Addo riktheu besimin në një ekip që përmban një treshe të Premier Leagues, Daniel Amartey (Leicester), Thomas Partey (Arsenal) dhe Jordan Ayeë (Crystal Palace).
46-vjeçari u tregua i këndshëm në momentin e festës, duke falënderuar paraardhësit për rolin që e patën në ekip.
“Kishte shumë punë përpara se të merrja përsipër ekipin. Falënderoj edhe dy ish-trajnerët për punën, pasi ne jemi të gjithë së bashku në këtë sukses”, tha Addo.
Kadri kishte njohuri të brendshme për Tunizinë duke asistuar Mondher Kebaierin, i cili u hoq pas humbjes në çerekfinale të Kupës së Afrikës ndaj Burkina Fasos. Ai tani duhet të hartojë një strategji, e cila do ta dërgojë Tunizinë përtej fazës së grupeve në një Botëror për herë të parë.