Sport

Tre reprezentuesit nga Namibia pritet ta udhëheqin Lirinë në Superligë

Junior dhe Aprocius kanë disa të përbashkëta. Mbiemrin, moshën, klubin dhe shtetin që përfaqësojnë. Mbiemri i dy futbollistëve është Petrus dhe ata janë të moshës 23-vjeçare. Luajnë për Lirinë e Prizrenit, ndërsa e përfaqësojnë shtetin e Namibisë.

“Nuk jemi në lidhje familjare, por jemi tashmë në familjen e madhe të Lirisë dhe Namibisë së bashku”, thotë Juniori, i cili të shtunën u prezantua me fanellën e klubit prizrenas.

Junior luan në pozitën e sulmuesit, ndërsa Aprocius është mbrojtës i majtë. Të dy ishin pjesë e Namibisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Afrikës ndaj Burundit, më 20 qershor.

“Është kënaqësi për mua dhe Prinsin që na është bashkuar edhe Juniori”, thotë Aprocius.

Prins Tijueza është një tjetër reprezentues i Namibisë që luan për Lirinë. Prinsi dhe Aprocius të shtunën vazhduan kontratat edhe për një vit me skuadrën e kthyer në Superligën e Kosovës.

“Premtojmë maksimumin për Lirinë. E njohim njëri-tjetrin shumë mirë dhe do të mundohemi t’i dëshmojmë vlerat tona te Liria”, është shprehur Tijueza.

Tijueza, i cili me Nambinë ka gjashtë ndeshje, Lirisë iu bashkua më 1 gusht të vitit të kaluar. Një muaj më herët klubit nga Prizreni i ishte bashkuar Aprocius.

Aprocius Petrus ka luajtur 22 ndeshje për Namibinë, kurse Junior Petrus ka vetëm një ndeshje. Por ai pret të paraqitet edhe në të ardhmen për përfaqësuesen e vendlindjes.

“Sigurisht se nga Federata do të përcillem edhe në Kosovë. Njëjtë ka vepruar edhe me dy bashkëlojtarët e mi. Në Namibi falë Prinsit dhe Aprociusit kanë njohuri edhe për futbollin e Kosovës. Uroj ta kem hapësirën dhe ta shfrytëzoj këtë mundësi për të siguruar vend të rregullt në Përfaqësuese”, ka thënë Junior Petrus.

Përshtypjet e para të Juniorit për Kosovën, përkatësisht Prizrenin, janë të mira.

“Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Pritja ka qenë shumë e mirë. Më kanë treguar dy bashkëlojtarët se në Kosovë pritja është e ngrohtë. Edhe futbolli më është thënë se ka ecur para. Jam i lumtur që po u bashkohem dy bashkëkombësve te Liria. Shpresoj të bëjmë gjëra të mira për klubin dhe për karrierën tonë personale. Ardhja ime është ndikuar nga dy lojtarët nga Namibia”, thotë Junior.

Liria është kthyer pas disa vjetësh në Superligën e Kosovës. Kontribut të madh në kthimin e Lirisë dhanë Prinsi dhe Aprocius.

“Ndjemi si në shtëpi. Kemi respektin maksimal nga njerëzit. Duhet të jemi të bashkuar dhe vetëm ashtu mund të kemi sukses në kampionatin e Kosovës. Me ardhjen e Juniorit është rritur edhe më shumë kualiteti në ekip. Është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë Prins Tijueza.

Pritjet prej tre namibiasve janë të mëdha në klubin me nam.

“Së bashku premtojnë të sjellin dramë e spektakël në Superligën e Kosovës”, shkruan në njoftimin e klubit prizrenas.

Liria të shtunën prezantoi edhe Siyabonga Duben. Dube 27-vjeçar, është nga Afrika e Jugut dhe luan si mbrojtës i krahut të djathtë.