Sport

Prinsi i Lirisë ftohet nga Namibia

Mesfushori i Lirisë së Prizrenit, Prins Tijueza, është ftuar nga Përfaqësuesja e Namibisë. Ai ka pranuar ftesë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Afrikës.

Namibia përballë do ta ketë njërën prej përfaqësueseve më të mëdha të Afrikës, Kamerunin. Me Kamerunin do t’i zhvillojë dy ndeshje. Të parën do ta ketë më 23 mars, kurse të dytën më 28 mars. Grumbullimi nis më 16 mars në Johanesburg të Afrikës së Jugut.

20-vjeçari ka luajtur edhe më herët për Përfaqësuesen e Namibisë. Thotë se gjithnjë është e veçantë ftesa nga shteti i tij.

“Jam shumë i lumtur që kam marrë ftesë. Është gjithmonë e veçantë ta përfaqësoj vendin tim. Është hera e shtatë që kam marrë ftesë nga Namibia. Katër herë kam luajtur për ekipin senior”, ka thënë Tijueza të dielën për KOHËN.

Ai është pjesë e rëndësishme e Lirisë që garon në Ligën e Parë të Kosovës. Tijueza për ekipin nga Prizreni ka shënuar gjashtë gola dhe ka po aq asistime. Te Liria vlerësojnë kontributin e tij. Siç thonë në klubin prizrenas, Tijueza njihet për shpejtësi dhe driblim.

Reprezentuesi i Namibisë ka thënë se përballjet me Kamerunin do të jenë të veçanta.

“Po, sepse është një vend i madh, kështu që do të jetë shumë e veçantë përballja kundër Kamerunit. Do t’i luajmë dy ndeshje kundër Kamerunit, jashtë dhe brenda për Kupën e Kombeve të Afrikës”, ka thënë ai.

Namibia është në vendin e tretë në grup me një pikë. Vitin e kaluar pati barazuar kundër Burundit (1:1). Në grupin C bashkë me Kamerunin, Burundin e Namibinë është edhe Kenia. Dy të parat kalojnë në Kupën e Afrikës që zhvillohet në janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm në Bregun e Fildishtë.

Futbollisti i Lirisë tregon se vitin e kaluar me Namibinë luajti në finale të një gare rajonale.

“Vitin e kaluar luajta në finale me ekipin tim senior”.

Tijueza pjesë e Lirisë është prej fillimit të edicionit aktual. Ai është i lumtur te Liria e Prizrenit.

“Unë nuk mund të komentoj për të ardhmen time. Por mund të them se jam shumë i lumtur në klub. Klubi dhe shikuesit me të vërtetë më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time. Do të përqendrohem në objektivin kryesor, pra të sigurojmë kalimin në Superligën e Kosovës. Nuk mund të them asgjë për të ardhmen time”, ka thënë Tijueza.