Futbollistët e Lirisë së Prizrenit, Prins Tjiueza dhe Aprocious Petrus, kanë luajtur nga minuta e parë për Namibinë që shënoi fitore të jashtëzakonshme kundër Tunizisë. Ndeshja i takoi Grupit E të Kupës së Afrikës dhe u zhvillua të martën mbrëma.
Kupa e Afrikës po mbahet në Bregun e Fildishtë. Petrus e kompletoi ndeshjen, kurse Tjiueza u zëvendësua në minutën e 73-të. Golin e fitores për Namibinë, që ishte autsajdere e plotë, e shënoi Deon Hotto. Ai realizoi në minutën e 88-të.
Në grup me Namibinë dhe Tunizinë janë edhe Afrika e Jugut dhe Mali. Sipas BBC-së, kjo është njëra prej befasive më të mëdha në histori të Kupës së Afrikës. Namibia është vetëm e 115-ta në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Tunizia është 87 pozita më lartë. Në Botërorin në Katar, Tunizia barazoi pa gola me Danimarkën dhe e mposhti Francën, por megjithatë nuk e kaloi grupin. Sa i takon Kupës së Afrikës, Tunizia ishte kampione në vitin 2004, ndërsa në vitin 2021 arriti në çerekfinale. Namibia vetëm për herë të katërt po luan në Kupën e Afrikës. Nuk ka ndonjë sukses ndërkombëtar.