Sulmuesi anësor Adama Traore thotë se është i hapur të transferohet te Real Madridi, ndonëse më herët ka luajtur për rivalin e Realit, Barcelonën, shkruan “Daily Mail” të enjten, transmeton Koha.net.
Ylli i Wolverhamptonit, që ka shënuar katër gola dhe asistuar shtatë tjerë në ligë këtë stinor, u largua nga Barcelona në vitin 2015 duke iu bashkuar Aston Villas.
Traore 24-vjeçar është duke u kërkuar nga Barcelona, por edhe Real Madridi është futur në garë për sulmuesin e fuqishëm.
“Nuk do të ishte problem për mua transferimi te Real Madridi. Nuk mbylli derë. Momentalisht jam i lumtur te Wolverhamptoni, funksioni i skuadrës është fantastik. Por, si Real Madridi ashtu edhe Barcelona do të vijnë kur duhet të vijnë”, ka thënë Traore.
Traore ka kaluar 11 vite te Barcelona, por luajti vetëm tri ndeshje me skuadrën e parë. Ai rregullisht luajti me skuadrën B, por dështoi të depërtonte në skuadrën e parë dhe vendosi të kalonte në futbollin anglez.