Edon Zhegrova po kërkohet prej shumë skuadrave evropiane tashmë. Zhegrova ka shfaqur nivel të lartë në vjeshtë te Lille në Ligue 1 të Francës dhe mund t’i bashkohet ndonjë skuadre më të madhe. Megjithatë gjasat janë që Zhegrova edhe të mbetet te Lille, ku po vlerësohet lart dhe është prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Zhegrova është emri më i përfolur aktualisht prej reprezentuesve të Kosovës. Ai ka pasur disa telashe së fundi me FFK-në, përkatësisht me përgjegjësit e përfaqësueses, por mbetet prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kosova. Lëvizi apo jo, Zhegrova parashikohet të jetë prej bartësve të lojës së Kosovës në këtë vit dhe në vitet e ardhshme.
Janë lojtarë të tjerë që mund ta përmirësojnë pozitën e tyre te Kosova me ndonjë lëvizje të duhur në janar. Disa tashmë e kanë bërë hapin e rëndësishëm. Në fakt janë pesë transferime tashmë që mund t’i shërbejnë Kosovës për ndeshjet e ardhshme, që fillojnë nga marsi. Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka vuajtur nga mungesa e konkurrencës në shumë pozita. Transferimet që janë realizuar dhe disa të tjera që pritet të realizohen, pritet t’i shërbejnë rritjes së konkurrencës.
Benjamin Kololli mund të jetë sërish në konkurrencë për vend te Kosova. Kololli për kohë të gjatë ishte lojtari kryesor i Kosovës në krahun e majtë. Pas transferimit në Japoni, megjithatë, mbeti jashtë përfaqësueses. Kololli, që luan kryesisht si më i avancuar në krahun e majtë, është kthyer te Baseli në Superligën e Zvicrës. Nëse luan rregullisht, që pritet të luajë, mund të jetë kandidat i fortë për vend në përfaqësuese. Natyrisht shumë do të varet edhe nga selektori i ri i Kosovës dhe idetë e tij për formimin e ekipit.
Kololli së fundi ka luajtur për “Dardanët” në qershor të vitit 2022, kur edhe u ftua së fundi.
Për Kosovën i ka 24 ndeshje, katër gola e një asistim.
Valon Berisha mund të kthehet në repartin më problematik të Kosovës – mesfushë. Pas një periudhe në Australi dhe më pas mbetjes pa skuadër, 30-vjeçari firmosi me LASK-un në Austri. Te kjo skuadër pritet të jetë lojtar bartës. Rrjedhimisht do të jetë kandidat i fortë për të startuar në mesfushën e Kosovës. Ka kohë që përfaqësuesja vuan nga mungesa e konkurrencës së denjë për pozitat në mesin e fushës.
Berisha për kohë të gjatë ka udhëhequr atë repart dhe sërish mund të jetë i rëndësishëm. Në 40 paraqitje për Kosovën, Valon Berisha ka katër gola e pesë asistime. Kontributi i tij shkon përtej golave e asistimeve.
Berisha ishte në shtator dhe luajti ndaj Zvicrës e Rumanisë. Nuk u grumbullua për tetor e nëntor. Pos që ishte pa skuadër, kishte edhe një lëndim.
“Është mirë të kthehem pas një viti që kam pasur në Australi. Kam luajtur çdo vikend me paraqitje të mira. Fizikisht kam qenë mirë, por ka qenë pak larg dhe për mua ka qenë e vështirë të udhëtoj për t’iu bashkuar Kosovës. Tash është më lehtë. Besoj se nëpërmjet paraqitjeve të mira do të jetë një opsion më i madh edhe për Kosovën. Për Kosovën e jap maksimumin. Besoj të gjithë e dinë, nga presidenti dhe deri te trajneri. Gjithmonë jam i gatshëm ta jap maksimumin për Kosovën, ashtu siç kam bërë gjithmonë. Besoj se është një hap i mirë për mua për momentin, sidomos pas lëndimit. Uroj ta kem shëndetin dhe të na prijë fati mua dhe klubit dhe me Kosovën kur të nisim sërish ndeshjet”, ka thënë Berisha ditë më parë për KOHËN.
Florent Hasani ishte lojtar premtues i përfaqësueses. Ai luajti tetë ndeshje, ndërsa realizoi një gol. Por pësoi rënie në nivel klubesh dhe nuk është ftuar nga marsi i vitit 2021. Hasani së fundi është transferuar nga Tirana te Rapidi i Bukureshtit. Dhe nëse shfaqet pozitivisht mund të konkurrojë për vend në përfaqësuese, ndonëse konkurrenca për sulmues krahu është shumë e madhe.
Kalimi nga Cluji te Rapid Bukureshti mund t’i shërbejë Ermal Krasniqit. Natyrisht nëse luan rregullisht dhe shfaq më tepër se te skuadra e kaluar rumune. Ai i ka katër paraqitje me përfaqësuese. Në dy ndeshjet e fundit qëndroi në stol, ndërsa luajti një pjesë ndaj Izraelit. Statusi i tij në përfaqësuese do ta varet më së shumti nga kontributi që jep te Rapidi rumun.
Arbër Hoxha ka bërë lëvizje ëndrrash. I është bashkuar Dinamos së Zagrebit. Te kampioni kroat është transferuar nga Slaven Belupo. Hoxha ka shprehur dëshirën që të luajë për Shqipërinë. Por në Shqipëri konkurrenca vlerësohet shumë e madhe. Kështu që Hoxha mund të jetë tjetër afrim te Kosova, për të cilën ka tri paraqitje në miqësore. Te Dinamo presin shumë nga 25-vjeçari. Dhe nëse Hoxha shfaq nivel të lartë, rruga për te Kosova do t’i hapet lehtë. Natyrisht nëse ndërkohë nuk ka ndonjë lëvizje lidhur me paraqitjen për kuqezinjtë. Profili i Dinamos është i lartë dhe pritet të jetë ndihmë e madhe për të ardhmen ndërkombëtare të Hoxhës.
Të tjera transferime të reprezentuesve të Kosovës mund të realizohen gjatë janarit. Lumbardh Dellova mund të largohet nga Ballkani, ndërsa Muhamet Hyseni nga Llapi. Florent Muslija është në derë të Bundesligës.
Ka plot lojtarë reprezentues që janë në situatë të keqe në skuadrat e tyre. Për disa në këtë grup mungojnë ofertat. Dhe ata natyrshëm do të duhej të lironin vendin në përfaqësuese për lojtarët që kanë bërë hap të rëndësishëm në karrierë dhe që rritjen do ta konfirmojnë me paraqitje në fushë.