Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajneri që u shkarkua pse fitoi 27:0 i përgjigjet klubit

Trajneri i futbollit që u shkarkua pse ekipi i tij fitoi 27 me 0 i është përgjigjur klubit duke thënë se “do të ishte më keq po të ndalnim lojën”.

Massimiliano Riccini u shkarkua nga klubi i të rinjve Invictasauro në Itali, presidenti i të cilit e vlerësoi si “veprim mosrespektues” pasi ekipi i tyre “shkatërroi” Marinan.

“Çfarë do të duhej të bëja? T’u kërkoja djemve të lënin kundërshtarin të shënonin? Do të ishte më e turpshme nëse ne do të sillnim topin rreth e rrotull dhe të luanim me ta, nëse do të ndalnim lojën tonë”, ka thënë Riccini për “La Repubblica”.

“Ishim 6 me 0 pas dhjetë minutash lojë, dhe pas pjesës së parë, kërkova nga trajneri i ekipit kundërshtar nëse do të donte ta ndërpritnim ndeshjen. Ai kërkoi vetëm që të vazhdojmë. Këtë e bëmë. Kjo është ajo që duhet të bëhet në futboll. Çdo kush që thotë ndryshe është hipokrit. Do të preferoja të humbja 27 me 0 sesa me më pak gola, me dijen se do të ishim pjesë e një farse”, ka shtuar ai.

Trajneri ka marrë përkrahjen e tifozëve që kur ngjarja u bë virale.

“E di se klubi do të ketë një takim tjetër nesër dhe e di që djemtë dhe prindërit e tyre do të jenë aty për ta bindur presidentin të ndryshojë mendjen për vendimin e tij”, ka përfunduar ai.