Sport

Trajneri Minchev paralajmëron kthimin e Trepçës në krye të basketbollit kosovar

Pasi e konfirmoi mbetjen në elitën e basketbollit kosovar nëpërmjet barazhit për herën e dytë rresht, KB Trepça ishte skuadra e parë në vend që nisi organizimin për edicionin e ri – 2021/22.

Në fakt skuadra nga Mitrovica është kompletuar që më 1 korrik, gjë që pothuajse nuk ka ndodhur asnjëherë në basketbollin e Kosovës. Lëvizjen e parë Trepça e bëri më 17 korrik duke e kthyer basketbollistin Samir Zekiqi, ndërsa dy ditë më vonë zyrtarizoi edhe trajnerin nga Bullgaria, Lubomir Minchev. Strategu bullgar prej fillimit të këtij muaji ka nisur përgatitjet për edicionin e ri, me ekipin e kompletuar, ku përfshihen edhe lojtarët e huaj: Amin Hot, Andrew Gordon, Ty Cockfield e Gerald Blackshear.

Minchev në një intervistë për KOHËN, të hënën, ka thënë se deri më tani është i kënaqur me rrjedhën e stërvitjeve, por ka zbuluar se po i mungojnë ndeshjet kontrolluese për sezonin që nis muajin tjetër. Mungesa e ndeshjeve kontrolluese Minchev thotë se po ndodh për shkak se shumica e skuadrave nga Kosova ende nuk i kanë nisur përgatitjet.

“Mund të them se ekipin e kemi të kompletuar për sezonin e ri dhe me stërvitjet kemi nisur në fillim të këtij muaji. Kemi një përzierje mes lojtarëve me përvojë dhe të rinjve, të cilët besoj se do ta ndihmojnë klubin në synimet që ka. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë dhe jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve që nuk po kursejnë asgjë nga vetja për të qenë sa më të përgatitur për fillimin e sezonit”, ka thënë Minchev. “Mirëpo, problem po e kemi mungesën e ndeshjeve miqësore për shkak se disa skuadra në Kosovë ende nuk i kanë nisur përgatitjet. Pra, miqësoret mbesin problemi më i madh tani për tani te Trepça”.

Minchev e di shumë mirë se Trepça dy sezonet e fundit e konfirmoi qëndrimin në Superligë vetëm nëpërmjet ndeshjeve të barazhit. Dhe thotë se tani ka ardhur për ta ngritur klubin në tabelë. Ai insiston se synimi minimal i Trepçës në sezonin e ri do të jetë një vend që siguron pjesëmarrjen në garat e plejofit.

“Duhet të përmirësohemi, këtë e kemi patjetër obligim. Kështu që futja në plejof është synimi minimal i Trepçës në sezonin e ri. Ndërsa në plejof do të marrim më të mirën nga ndeshja në ndeshje për të shkuar sa më larg. Klubi është shumë mirë i organizuar dhe kemi të gjithë përkrahjen e kryesisë për këtë. Besoj se motivimi nuk mungon”, shtoi Minchev.

Trajneri bullgar e njeh mirë si kampionatin e Kosovës ashtu edhe skuadrat kosovare. Ai para se të merrte drejtimin e Trepçës ka qenë në krye të skuadrës nga Bullgaria, Beroe dhe është përballur me skuadrat nga Kosova në Ligën Ballkanike. Në krye të Beroes, Minchev ka qenë trajner prej fillimit të vitit 2014 deri në fund të sezonit të shkuar. Në të vërtetë sukseset dhe trofetë e vetëm skuadra e Beroes i ka nën drejtimin e Minchevit.

Ai në vitin 2017 e udhëhoqi Beroen drejt tre trofeve: Kupës, Superkupës së Bullgarisë dhe titullit të kampionit në Ligën Ballkanike. Krahas Beroes, Minchev për katër vjet ka qenë edhe përzgjedhës i Bullgarisë (2015-2019).

“E njoh ligën dhe skuadrat e Kosovës, pasi kam luajtur kundër disa prej tyre në Ligën Ballkanike kur isha trajner i Beroes. Megjithatë ekipet kanë ndryshuar prej asaj kohe dhe nuk janë më të njëjta. Bazuar në sezonin e shkuar, mund të them se ekipet ishin më të dobëta se para disa viteve kur jam përballur me to në BIBL”, shtoi Minchev. “Megjithatë edicioni i ri pres të jetë interesant dhe me rivalitet të fortë”.

Minchev thotë se Trepça ishte skuadra e parë që e kontaktoi. Para se të vendoste ta firmoste kontratën, trajneri bullgar qëndroi për disa ditë në qytetin e Mitrovicës. Ai thotë se projekti, ambiciet dhe organizimi e klubit, e bindën të jetë në krye të Trepçës. Kontrata e tij me ekipin mitrovicas është për një vit, por ai nuk përjashton mundësinë që të jetë edhe më gjatë trajner i Trepçës.

“Do të shohim, gjithçka do të varet nga rezultatet dhe puna që do ta bëjmë në sezonin e ri”, u shpreh Minchev. “Me Trepçën firmosa për një vit në mes të muajit qershor. Fillimisht isha në Mitrovicë për dy apo tri ditë, ku biseduam me drejtuesit e klubit për gjithçka. Dhe, pasi u ktheva në Bullgari mora vendimin për ta udhëhequr klubin. Me skuadra tjera nuk kam biseduar dhe mund të them se deri më tani jam i kënaqur me vendimin që e kam marrë për të punuar te Trepça”.

Trepça ka ambicie për t’u kthyer në majë të basketbollit kosovar, aty ku mitrovicasit vlerësojnë se e kanë vendin. Testin e parë “xehetarët” do ta kenë në turneun e Superkupës, që mbahet në fillim të shtatorit. Organizimi i hershëm, angazhimi i trajnerit cilësor, kompletimi i ekipit dhe funksionimi i mirëfilltë i klubit janë bazë për një edicion të suksesshëm. Kjo për kohë të gjatë i ka munguar Trepçës, njërës prej skuadrave me tifozët më të flaktë në vend.