Trajneri i ri i Hertha Berlinit, Bruno Labbadia do të përgatisë ekipin e tij që të jetë në kulmin e formës për ditën kur Bundesliga do të rifillojë, ndërsa klubi po lufton për të shmangur rënien nga elita e futbollit gjerman në edicionin e tij katastrofal.
Labbadia me përvojë, i cili ka punuar edhe te skuadrat gjermane, si Wolfsburg, Stuttgart dhe Hamburg, ndër të tjera, është trajneri i katërt këtë edicion te Hertha.
Labbadia, tani ka një detyrë shumë të vështirë. Duhet të bëjë bashkë ekipin, duke mbledhur të gjitha pjesët, pasi Hertha në nëntor të vitit të shkuar kishte deklaruar se këtë edicion ka ambicie të mëdha në Bundesligë. Në fakt, në nëntor Hertha paralajmëroi nisjen e projektit të madh, me ardhjen e trajnerit Juergen Klinsmann dhe mbështetjen e fuqishme financiare të investitorit kryesor, Lars Windhorst.
Klinsmann, ish-seleksionuesi i Gjermanisë dhe SHBA-së, mori guximin dhe u zotua ta kthejë Herthan në një pretendent evropian brenda disa sezoneve, por projekti i tij mbeti në gjysmë ende pa nisur mirë. Klinsmann u largua nga Hertha pas vetëm tetë javësh, duke fajësuar zyrtarët e klubit për mungesë të besimit.
Hertha aktualisht është në vendin e 13 në tabelë me 28 pikë të tubuara, gjashtë mbi pozitën që dërgon në garat e plejautit për Bundesligë.
"Para se të flisni shumë, duhet të dini se çfarë dëshironi, cilën pjesë të enigmës që duhet të shtoni. Më duhet të shoh gjatë ditëve të para se si qëndrojnë lojtarët. Ekipi ka qenë rreth katër javë larg topit dhe fushës. Kjo ndihet shumë dhe tash gradualisht kemi filluar të marrin veten”, tha Labbadia. "Kjo është një situatë jashtëzakonisht e pazakontë dhe duhet të mendoj se si të merrem me ekipin. Së bashku po mendojmë për zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe besoj se do t’ia dalim mbanë”.
Edhe Hertha sikurse skuadrat e tjera të Bundesligës i ka rifilluar stërvitjet gjatë javës së shkuar, edhe pse ende nuk ka një datë të saktë për rifillimin e sezonit të pezulluar. Hertha ka njoftuar se këtë javë do të stërvitet në tri grupe me nga tetë lojtarë, ndërsa diskutimet në ekip do të zhvillohen në zona të mëdha të brendshme për të mbajtur distancën e sigurt mes tyre.
"Më duhet ta përgatis më së miri ekipin për ‘Ditën X’, sa më mirë që të jetë e mundur", tha Labbadia.
Bundesliga është pezulluar që nga mesi i muajit mars të paktën deri më datën 30 prill për shkak të përhapjes së koronavirusit në të gjithë Evropën. Gjermania ka pasur më shumë se 125 mijë raste pozitive dhe më shumë se tre mijë të vdekur nga kjo pandemi. Liga Gjermane e Futbollit është vendosur të takohet në fund të javës për të diskutuar një datë të mundshme për rifillimin e sezonit.