Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajneri kroat thotë se FIFA e ndihmoi Argjentinën për ta fituar titullin e botës

Igor Shtimac

Igor Shtimac, ish-përzgjedhësi i Kroacisë dhe aktualisht selektor i Indisë, ka hedhur akuza të rënda ndaj FIFA-s për Kupën e Botës “Katari 2022”.

Shtimac ka thënë se hënën se FIFA e ndihmoi Argjentinën për ta fituar titullin e botës. Deklarata e tij u publikua nga mediume të shumta në Kroaci.

Argjentina në ndeshjen finale të luajtur më 18 dhjetor në stadiumin “Lusail” e mposhi Francën me penallti, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk dhanë fitues.

Shtimac ka thënë se triumfi i Argjentinës do të mbetet përgjithmonë njollë e zezë për FIFA-n. Ndërkohë, ka shtuar se pavarësisht suksesit me Argjentinën, Lionel Messi nuk do të mund të krahasohet me të ndjerin, Diego Armando Maradona. Për Argjentinën ky ishte titulli i tretë në histori dhe i pari prej vitit 1986. Messi u shpall lojtari më i mirë i Botërorit pasi e udhëhoqi Argjentinën me shtatë gola të shënuar në po aq paraqitje.

“Ajo është një njollë e madhe dhe do të mbetet. FIFA për fat të keq e ndihmoi Argjentinën. Për mua, ky është një problem shumë më i madh se gjithë fama që rrethon organizatorët e Kupës së Botës. Pavarësisht se Messi luajti mirë, që ekipi ishte i organizuar mirë, shija e hidhur nuk do të largohet”, insistoi Shtimac. “Askush nuk luajti futboll si Maradona. Faleminderit Messit për dy dekada të mrekullueshme futbolli, rekordesh, trofesh, por Diego ishte më i fuqishëm. Ai mund të bënte më shumë gjëra vetë, ai mund t'i bënte të shkëlqyera ekipet më të dobëta. Do të mbetet përgjithmonë numri një për mua”.

Edhe pse insistoi se FIFA e ndihmoi Argjentinën, Shtimac tha se turneu i Katarit ishte jashtëzakonisht interesant. Ndërkohë, finalen mes Francës dhe Argjentinën, e vlerësoi lart duke e quajtur si më të mirën në historinë e Kampionatit Botëror.

“Pas rundit të parë isha i shqetësuar, por me ecurinë e turneut pati duele tërheqëse, gola të shumtë, lojtarë që shënuan turneun në mënyrën e tyre. Ne pamë edhe ndeshjen finale më të mirë ndoshta në historinë e kampionateve botërore, ishte vërtet e tensionuar dhe emocionuese deri në momentin e fundit. Në fund, futbolli sërish fitoi”, u shpreh Shtimac.

Edhe Finalja e Messit, Yamalit dhe dy super-përfaqësueseve Botërori 2026 Finalja e Messit, Yamalit dhe dy super-përfaqësueseve

Një fakt interesant është se Shtimac kishte parashikuar me saktësi katër ekipet që do të kualifikoheshin në gjysmëfinale të Kupës së Botës “Katari 2022”. Në gjysmëfinale, Franca e eliminoi Marokun që ishte befasia e turneut, ndërsa Argjentina ishte më e mirë se Kroacia, e cila përfundoi e treta.

“Besova tek ne, sigurisht që reagova pak si tifoz. E shikoja shumë Argjentinën edhe para turneut, e njihja forcën e saj. Francezët me Mbappen janë favoritë të përhershëm dhe pavarësisht se u mungonin shumë lojtarë, dukeshin të fuqishëm. Isha i kënaqur me Marokun dhe për këtë arsye besova se mund të futej në katër ekipet më të mira”.

Shtimac 55-vjeçar është në krye të Indisë prej vitit 2019, ndërsa për një periudhë e udhëhoqi edhe Kroacinë (2012-2013). Shtimac si futbollist aktiv ka luajtur për Kroacinë deri në vitin 2002, ndërsa në Kampionatin Botëror “Franca 1998” e fitoi medaljen e bronztë.