Mbrojtësi i Real Madridit, David Alaba, u abuzua në baza racore në mediat sociale pasi votoi për Lionel Messin. Ndërsa trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq, akuzoi FIFA-n për mosrespektim, të martën, një ditë pas ceremonisë vjetore të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.
Messi u zgjodh lojtari më i mirë i vitit 2022 të hënën mbrëma në Paris. Ai mori çmimin “The Best” të FIFA-s, pasi udhëhoqi Argjentinën drejt titullit në Kupën e Botës vitin e kaluar në Katar. Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, përfundoi në vendin e tretë, pas një edicioni të dalluar në të cilin udhëhoqi skuadrën madrilene drejt një tjetër trofeu të Ligës së Kampionëve. Pas Messit në renditje ishte Kylian Mbappe i Francës dhe PSG-së.
Fituesit e çmimeve u vendosën nga votat e kapitenëve dhe trajnerëve të përfaqësueseve, mediave të përzgjedhura dhe tifozëve që votuan “online| për kandidatët e përzgjedhur nga panelet e ekspertëve të caktuar nga FIFA.
Vota e Alabas si kapiten i Përfaqësueses së Austrisë – duke e vendosur Messin të parin, shokun e skuadrës së Realit, Benzeman të dytin dhe Kylian Mbappen të tretin – ishte ndër rezultatet e publikuara nga FIFA pas ceremonisë që u mbajt në Paris. Kjo zgjedhje provokoi zemërimin e tifozëve madrilenë dhe të tjerëve. Kishte zemërim pasi Alaba votoi për Messin, i cili kaloi 17 edicione te Barcelona, rivalja më e madhe e Real Madridit.
“Përfaqësuesja austriake votoi për këtë çmim si ekip, jo vetëm unë. Të gjithë në këshillin e ekipit janë në gjendje të votojnë, dhe kështu është vendosur”, reagoi Alaba në rrjetet sociale. “Të gjithë e dinë, veçanërisht Karimi, sa shumë e admiroj atë dhe paraqitjet e tij. Kam thënë shpesh se për mua ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe kështu është ende”.
Alaba iu bashkua Real Madridit para fillimit të edicionit të kaluar, pas më shumë se një dekade te skuadra e Bayernit.
Ndërkohë selektori i Kroacisë, Daliq, tha të martën se refuzoi të votonte në shenjë proteste për mungesë respekti të perceptuar për veten dhe ekipin e tij. Kroacia eliminoi Brazilin përpara se të humbiste nga Argjentina në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror në Katar.
“Jam i zhgënjyer me qëndrimin e FIFA-s ndaj Përfaqësueses kroate, sepse jam i bindur se bazuar në gjithçka që kemi arritur si ekip ne meritojmë më shumë respekt nga organi drejtues i futbollit botëror. Më shumë respekt sesa kemi marrë”, thuhet në një deklaratë të trajnerit, që u publikua nga Federata e Futbollit e Kroacisë.
Kapiteni i Kroacisë, Luka Modriq, një tjetër lojtar i Real Madridit, ishte i katërti në votim. Modriq fitoi çmimin e FIFA-s në vitin 2018, kur ekipi i tij arriti në finalen e Kupës së Botës, duke humbur nga Franca.
Daliq, i cili u rendit i treti në vitin 2018 në votimin për çmimin e trajnerit më të mirë, vuri në dukje të martën se ishte lënë jashtë listës së ngushtë me pesë trajnerë këtë herë dhe shtoi se lojtarët e tij ishin të anashkaluar për çmime të tjera, duke përfshirë një ekip me yje të votuar nga futbollistët.
“A nuk kishte me të vërtetë vend për Mateo Kovaçiqin në atë listë, edhe pse ai ka fituar Kupën e Botës për klube me Chelsean dhe ka luajtur një botëror të shkëlqyer në Katar? Ku është emri i Joshko Gvardiolit?”, pyeti Daliqi. “Dhe a nuk e meritonte Dominik Livakoviq të ishte një nga pesë finalistët për portierin më të mirë të FIFA-s pas gjithë asaj që bëri në Katar?”.
Daliq vuri në dukje gjithashtu se trajneri i Marokut, Walid Regragui, ishte kandidat, duke përfunduar i katërti për çmimin e trajnerit të fituar nga argjentinasi Lionel Scaloni, pavarësisht se Kroacia e mundi Marokun në ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës dhe barazoi në ndeshjen e fazës së grupeve në ngjarjen në Katar.
“Duke marrë parasysh të gjitha që i kam cekur, kam vendosur të mos marr pjesë në procesin e votimit për çmimet e këtij viti”, tha Daliq, duke sulmuar edhe më shumë FIFA-n.
“Si periudhat kohore të ndeshjeve tona në Kupën e Botës dhe cilësia e arbitrimit – veçanërisht në ndeshjen gjysmëfinale – më bëjnë të ndiej se kishte mungesë respekti ndaj ekipit kroat”.