Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shaqiri flet nëse Messi e meritoi të shpallej më i miri

Xherdan Shaqiri ka dhënë mendimin e tij nëse Lionel Messi meritoi të shpallej lojtari më i mirë i vitit, sipas FIFA-s.

Ai ka thënë se Messi për të, është lojtari më i mirë në botë.

Shaqiri me Chicago Firen janë rival të Messit, që luan për Inter Miamin.

“Nuk jam person që punoj në këto gjëra, në këto votime dhe nuk e di se çka ndodh prapa skenave. Në fund të fundit, lojtarët votojnë dhe nëse e votojnë Messin si më të mirin, atëherë është Messi, sepse janë votat e lojtarëve. Nuk është se nuk e ka merituar pasi ka kupën e botës, e ka pasur një edicion të mirë. Për mua është lojtari më i mirë në histori të futbollit së bashku me Cristanon dhe për mua e ka merituar këtë çmim, nuk është se nuk e ka merituar”, ka thënë Shaqiri.

Shaqiri është zëvendëskapiten i Zvicrës. Kapiten i helvetikëve është Granit Xhaka. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, i kishte dhënë pesë pikë Messit, tri Erling Haalandit e një Kylian Mbappes. Shpallja e Messit si më i miri nuk solli shumë duartrokitje në sallën ku u mbajt ceremonia të hënën mbrëma në Londër. Messi nuk ishte në ceremoni.

Për lojtarin më të mirë në botë për vitin 2023, FIFA ka njoftuar se për bazë janë marrë paraqitjet prej 19 dhjetorit të vitit 2022 deri më 20 gusht të vitit 2023. Messi gjatë kësaj kohe ishte te PSG-ja e më pas tek Inter Miami. Nuk ka fituar ndonjë trofe të madh ndërkombëtar. Me Parisin fitoi titullin e Francës. Ndërkohë Haaland me Cityn ka fituar tre trofe të mëdhenj, duke përfshirë Ligën e Kampionëve. Dhe ka shënuar numër shumë të madh golash.