Trajneri i sapoemëruar i Monacos, kroati Niko Kovaq, insistoi se dëshiron ta udhëheqë klubin francez drejt rikthimit në krye të nivelit më të lartë të futbollit – Evropë. Ish-trajneri i skuadrës së Bayern Munechenit, Kovaq, në krye të Monacos e zëvendësoi Roberto Morenon e shkarkuar fundjavën e shkuar, shkruan AFP.
Ekipi nga principata përfundoi në pozitën e nëntë në tabelë në edicionin 2019/20, pasi Ligue 1 u anulua për shkak të përhapjes së pandemisë. Kjo pozitë nënkupton automatikisht se Monaco në edicionin e ri nuk do të paraqitet në garën më elitare të Evropës – Ligën e Kampionëve.
“Monaco patjetër duhet të luajë në nivelin ndërkombëtar për shkak se synimi im është t’ia kthej shkëlqimin e dikurshëm, duke e ngjitur në majë të futbollit të Evropës. Për këtë edhe kam ardhur te Monaco dhe klubi tashmë i ka parasysh synimet e mia. Jam plotësisht i gatshëm për këtë sfidë dhe këtë ua kam thënë edhe drejtuesve të klubit”, ka insistuar Kovaqi 48-vjeçar.
Puna e Kovaqit te Monaco do të monitorohet nga nënkryetari i klubit, Oleg Petrov, si dhe drejtori sportiv Paul Mitchell, që u emërua gjatë muajit të shkuar. Te Monaco janë të bindur se Kovaq do t’i ndryshojë gjërat për të mirë, pasi prej tij presin shumë.
“Ardhja e Nikos është një zgjedhje e fortë, që haptazi tregon ambiciet tona si klub. Pra, ne kemi një synim që duam ta arrijmë dhe ai është ta bëjmë Monacon përsëri një klub të suksesshëm. Kovaq i përshtatet kësaj strategjie plotësisht”, është shprehur nënkryetari Petrov.
Edhe
Monaco shkarkon trajnerin Niko Kovaç
Klubi ka shitur lojtarët si Kylian Mbappe, Benjamin Mendy e Bernardo Silva, për tarifa të konsiderueshme pasi e fitoi për herë të fundit titullin e kampionit të Francës në vitin 2017, ndërsa në edicionin 2018/19 Monaco ishte pranë rënies nga Ligue 1. Sa u përket lojtarëve, Kovaq është i qetë dhe thotë se kjo është punë e dyshes Petorv-Mitchell.
“Unë u besoj atyre dhe besoj në këtë klub. Unë dua të falënderoj presidentin Dmitry Rybovlev që ka pasur besim në mua, por edhe të tjerët. Dëshiroj që këtë besim t’ua shpaguaj me suksese dhe për këtë do të punoj me përkushtimin më të madh. Jam optimist se mund t’i arrijmë synimet”, ka shtuar Kovaq. “Nuk është një rrugë e lehtë, por me punë dhe angazhim të përbashkët do t’ia dalim mbanë. Pres të kem një ekip shumë konkurrues për edicionin e ri”.