Trajneri i skuadrës së Clermontit, Pascal Gastien ka përgëzuar sulmuesin e Kosovës, Elbasan Rashanin për paraqitjen e mirë ndaj Lyonit. Rashani shënoi dy gola ndaj Lyonit të dielën, në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligue 1, për t’ia siguruar barazimin 3:3 Clermontit në udhëtim.
Rashani u inkuadrua në lojë në minutën e 69-të, kurse në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, i realizoi dy golat. Ai fillimisht në minutën e 80-të, ngushtoi rezultatin në 3:2 me golin që e shënoi nga afërsia ndërsa në minutën e parë të kohës shtesë, Rashani shënoi me kokë për të barazuar shifrat dhe vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Për Rashanin, i cili iu bashkua Clermontit gjatë kësaj vere, kjo ishte paraqitja e tretë në kampionatin francez. Ai ka dy gola e një asistim deri më tani për Clermontin që është i treti në tabelë me shtatë pikë, dy më pak se Paris Saint-Germaini që është lider.
“Në pjesën e dytë, në ishim shumë më të mirë në lojë. Elbasani është një lojtar i mirë. Ai kuptoi gjithçka në lojën tonë dhe është integruar shumë mirë në ekip. Ai bëri shumë gjëra të mira ndaj Lyonit dhe më vjen mirë”, ka thënë Gastien. “Vitin e shkuar, në shënuam vetëm dy gola prej harkimeve nga këndi, ndërsa këtë edicion ne kemi tashmë katër gola në tri ndeshje”.