Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, ka prezantuar të martën trajnerin e ri.
Besën në vazhdim të kampionatit do ta udhëheq trajneri spanjoll, Juan Javier Cabanas, ka njoftuar klubi pejan, raporton Koha.net.
“Ai para stërvitjes së parë mbajti një takim me lojtarët nga të cilët kërkoj angazhim dhe punë të përbashkët drejt sukseseve të reja”, ka njoftuar Besa.
“Jemi këtu për të futur në sistem lojën e hendbollit spanjoll”, ka thënë Cabanas.
Spanja është prej vendeve evropiane me hendbollin më të zhvilluar. Deri më tani Besën e ka drejtuar Arben Muqolli. Në pjesën e parë trajner ishte kroati Zdenko Kordi.
Besa ka vite që dominon hendbollin kosovar. Aktualisht udhëheq në tabelë me të gjitha ndeshjet e fituara. Te Besa luajnë shumë reprezentues të Kosovës dhe po ashtu legjenda e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce.