Pa telashe dhe me rezultat shumë të thellë, Besa Famgas e ka mposhtur Drenicën të enjten pasdite (63:16). Për skuadrën pejane të hendbollit, Besa Famgas, ishte ndeshje e ngjashme me të gjitha ndeshjet e tjera të këtij edicioni.
Besa i ka fituar bindshëm të gjitha ndeshjet dhe të enjten e ka kompletuar një edicion perfekt. Fitorja e së enjtes ndaj Drenicës inferiore megjithatë ishte dukshëm më e lartë se të tjerat.
Pasi fitoi të gjitha 18 ndeshjet në pjesën e rregullt të edicionit, skuadra pejane fitoi edhe dhjetë ndeshjet në kuadër të Superligës A. Kështu stinorin në Superligë e mbyll vetëm me fitore dhe me 56 pikë të mundshme të fituara.
Besa Famgas në plejof starton nga pozita e parë, e po ashtu është në gjysmëfinale të Kupës. Është favorite e madhe për t’i fituar të dy trofetë. Madje, pa humbje.
Në të vërtetë, ka vite që Besa Famgas dominon hendbollin kosovar. Ka fituar shtatë titujt e kaluar. Në disa prej shtatë edicioneve të kaluara nuk kishte pësuar asnjë humbje. Sa u takon garave të Kupës, Besa e fitoi trofeun prej vitit 2014 e deri në vitin 2018. Dominimin ia ndali Kastrioti në vitin 2019, por vjet sërish Besa iu gëzua Kupës së Kosovës.
Për nga organizimi dhe investimet, Besa Famgas dallon shumë me pjesën tjetër të klubeve të hendbollit në vend. Rrjedhimisht, po dominon garat. Te Besa janë të grumbulluar shumë reprezentues të Kosovës, ndërsa në përbërje pejanët kanë edhe një reprezentues të Greqisë, një të Bosnjë-Hercegovinës dhe një hendbollist spanjoll. Trajner i Besës është spanjolli Javier Cabanas.
Besës, këtë edicion, si në edicionet e kaluara, po i mungon rivaliteti.
“T’i fitosh të gjitha ndeshjet nuk është e lehtë. I kemi fituar të gjitha ndeshjet duke luajtur në nivel të lartë, sidomos në mbrojtje. Për mendimin tim, kjo ishte vendimtare. E mbyllëm edicionin e rregullt me afro 300 gola më pak të pranuar se ekipi i dytë”, ka thënë Cabanas të enjten për KOHËN.
“Deri më tani jam i lumtur, por jam trajner kërkues dhe mendoj se kemi mundur të paraqitemi më mirë, sidomos në sulmet e gjata. Këtu duhet të përmirësohet skuadra”, ka shtuar Cabanas, që është prej legjendave të hendbollit spanjoll. Ai ka të arritura të mëdha si lojtar, por edhe si trajner.
“Çelësi i këtij suksesi ishte puna e madhe ditë pas dite. I përgëzoj lojtarët për punën e tyre. Ne kemi punuar fort dhe kur lojtarët e bëjnë këtë, rezultati është i mirë”, thekson trajneri spanjoll.
Besën tani e pret puna për të fituar titullin dhe kupën. Më pas, pejanët i kthehen punës për më tepër suksese në garat evropiane. Ecja në Evropë po del të jetë dukshëm më e vështirë sesa dominimi në skenën evropiane. Në edicionin aktual, Besa e kaloi një ekip nga Bosnja, por pas dy ndeshjeve të ngushta e të vështira u ndal nga Borci i Banjallukës, ekipi me nam nga Bosnjë-Hercegovina.
Hapi tutje synohet për edicionin e ardhshëm.
“Gjatë viteve të fundit, disa herë e kemi mbyllur sezonin pa humbje. Edhe këtë vit synimi ynë është që ta fitojmë Kampionatin dhe Kupën e Kosovës pa asnjë humbje. Natyrisht, nuk është e lehtë që një edicion të plotë të mos e kesh asnjë humbje. Çelësi besoj se është serioziteti i klubi, puna që bëhet dhe profesionalizimi në të gjitha nivelet”, ka theksuar Egzon Gjuka, njëri prej lojtarëve kryesorë të Besa Famgas. Ai është i rëndësishëm edhe te Kosova. Në të vërtetë, prej nivelit të Besës vlerësohet se përfiton shumë edhe Përfaqësuesja e Kosovës, që është në prag të kualifikimit në Evropian.
“Synimet e Besës në të ardhmen do të jenë që në kupat evropiane të arrijmë rezultat sa më të mirë dhe natyrisht të vazhdohet dominimi në Kosovë”, ka theksuar Gjuka.