Tragjedia e Marc-Vivien Foe rëndon shumë mbi varrin e tij. Afër vendit ku është i varrosur Foe, gjendet një fushë futbolli por jo e tillë që e dëshironte lojtari i ndjerë i Kamerunit dhe Manchester Cityt.
Shtyllat janë pjesë e një kornize metalike të dobët, të palyer dhe të mbështetur në njërën anë. Fusha është tokë e zhveshur dhe e mbushur me plehra. Aty pranë është një ndërtesë e shkatërruar, me dritare dhe pjesë muresh që mungojnë. Ky kompleks dikur ishte strehë për kriminelët dhe përdoruesit e drogës. Kompleksi ishte menduar të jetë realizim i ëndrrës së Foes. Kur Foe u rrëzua në fushë derisa luante për vendin e tij në Kupën e Konfederatës në vitin 2003 dhe vdiq, në një moment të tmerrshëm për futbollin botëror, ai ishte në procesin e ndërtimit të një kompleksi sportiv dhe shkolle në periferinë lindore të qytetit të lindjes, Yaounde. Do të ishte trashëgimia e tij, dhurata për njerëzit e tij dhe një burim i çmuar për lojtarët e rinj të futbollit në një pjesë të botës ku ata marrin pak ndihmë.
Foe nuk arriti kurrë ta përfundonte kompleksin. Ai madje u bë vendi i fundit i pushimit të lojtarit. Në funeralin e Foes, kur ai u varros me nderime ushtarake dhe u përshëndet si “hero kombëtar i rënë”, u premtua nga përfaqësuesit e qeverisë së Kamerunit se projekti do të përfundonte në kujtim të tij. Gati 20 vjet më vonë kompleksi është në rrënoja. E vetmja pjesë e kompleksit që nuk është prishur është blloku i mermerit që shënon varrin e Foes.
Nipi i tij, Nama Mvogo, thotë se e viziton çdo javë kompleksin për ta pastruar varrin.
“Mendoj se xhaxhai im është braktisur”, tha Mvogo. “Është për të ardhur keq”.
Muaji i fundit ka qenë i dhimbshëm për Mvogon. Ai pa vendin e tij të Afrikës Qendrore të organizonte Kupën e Afrikës, turneun më të madh të futbollit në kontinent, për herë të parë në 50 vjet. Është një turne që Foe e fitoi dy herë me Kamerunin dhe Mvogo mendoi se do të ishte mundësia e përsosur për të ringjallur projektin e xhaxhait të tij, ose të paktën për ta njohur atë. Por, Foe nuk u përmend në turne, tha Mvogo, dhe shikimi i ekipit aktual të Kamerunit, duke luajtur në turne nuk shkaktoi asgjë tjetër veç trishtimit për të.
Foe luajti për Kamerunin për një dekadë dhe gjithashtu u bë lojtar i njohur në Angli me West Hamin dhe Manchester Cityn. Ai vdiq në moshën 28-vjeçare nga një sëmundje e padiagnostikuar e zemrës, e cila u zbulua disa ditë pasi kolapsoi në stadiumin “Gerland” në Lyon, në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Konfederatës kundër Kolumbisë. Ai e bashkoi futbollin botëror në pikëllim. Dhjetëra mijëra njerëz u rreshtuan në rrugët e Yaoundes për funeralin e tij.
Presidenti i atëhershëm i FIFA-s, Sepp Blatter, dhe presidenti i Kamerunit, Paul Biya, morën pjesë në varrim. Por, vlera e vërtetë e Foes si person u zbulua vetëm kur një djalë i panjohur 14-vjeçar u ngrit në këmbë dhe shpjegoi se si ylli i futbollit kishte paguar që ai të qëndronte në një nga qendrat për personat me nevoja të veçanta.
Që atëherë, projekti i akademisë filloi të mbetet në harresë. Mvogo tha se e ardhmja e kompleksit është e ndërlikuar, pasi babai dhe e veja e Foes, të cilët jetojnë në Francë, nuk kanë qenë në gjendje të punojnë së bashku me qeverinë për ta vazhduar punën. Por ai projekt nuk është braktisur plotësisht. Dy shkolla të vogla futbolli e përdorin fushën, duke arritur disi të stërviten dhe të luajnë ndeshje në pisllëkun pranë varrit të Foes.
Fusha që mban emrin e Foes është mbushur tashmë me palma, tha Mvogo. Portieri David Neabo, i cili luan për një ekip U9, qëndron nën shtyllat e shtrembëruara duke e mbajtur topin në duar. Trajneri i tij, Ewodo Yves Laurent, tha se ai ende kujton Foen për të frymëzuar fëmijët të cilët as nuk ishin të lindur kur Foe vdiq.
“Unë u tregoj atyre për Marc-Vivien Foe, i cili gjithashtu më motivoi të vij këtu”, tha trajneri. “Kur shikoj se çfarë bëri, çfarë u bë në jetë, pyes veten pse të mos e mbështes ëndrrën e tij?”.
Imazhi i vetëm i Foes në kompleks është një statujë me uniformën e Kamerunit, me dorën e djathtë të ngritur në shenjë festimi. Por përmasat e saj nuk janë të duhurat dhe figura nuk i ngjan mesfushorit të fuqishëm, Foe.
Vitet e neglizhencës kanë bërë që edhe fanella e gjelbër e Kamerunit në statujë të zbehet dhe të zbardhet. Mvogo nuk e di nëse ëndrra e xhaxhait të tij do të realizohet ndonjëherë, por një takim i fundit i dha atij shpresë për të ardhmen. Ai takoi Eric Djemba-Djemban, ish-mesfushorin e Manchester Unitedit dhe bashkëlojtarin e Foes te Kameruni.
“Ai tha se nuk mund të përballonte të ishte në Kamerun dhe të mos ndalej këtu”, kujton Mvogo.
Kujtimi i Foe, të paktën, mbetet i gjallë për disa.