Tetë ekipe janë ende në kërkim të avancimit në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, ndërsa katër prej tyre janë nga Grupi D. Në këtë grup ende gjithçka është e hapur. Vetëm dy pikë e ndajnë ekipin e parë nga ekipi i fundit në tabelë.
Tottenhami i prin grupit me tetë pikë, ndërsa Marseille renditet i fundit me gjashtë pikë. Këto dy skuadra përballen në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Championsit që zhvillohet të martën mbrëma (21:00) në “Stade Velodrome” në Marseille të Francës.
Dueli tjetër i këtij grupi është ndërmjet Sportingut të Lisbonës dhe Eintracht Frankfurtit, skuadra që kanë nga shtatë pikë dhe ndajnë pozitat dy dhe tre.
Tottenhamit i mjafton edhe një pikë nga përballja në Marseille, por në rast se në ndeshjen tjetër ka fitues, atëherë ekipi nga Londra do të avanconte nga pozita e dytë. Këtë pozitë te Tottenhami nuk po e duan dhe në Francë kanë udhëtuar me synimin e qartë - ta fitojnë ndeshjen dhe të konfirmohen të parët në grup.
Fitorja i kryen punë edhe Marseillet. Në fakt, skuadra franceze vetëm me tri pikë do ta kalonte grupin. Trajneri e Marseillet, Igor Tudor, ka paralajmëruar se ekipi i tij në fushë do të futet që ta fitojë ndeshjen.
Edhe
Marseille kërkon fitoren ndaj Lyonit
“Për ne ndeshja me Tottenhamin është finale. Në fakt, do ta quaja ndeshja e vitit të cilën duhet ta fitojmë patjetër. Me përkrahjen e tifozëve tanë jam optimist se do t’ia dalim. Duam të fitojmë dhe të festojmë kalimin nga faza e grupeve. Kjo prej fillimit të këtij sezoni ka qenë synim i yni”, është shprehur Tudor. “Bazuar në ndeshjet që i kemi luajtur deri më tani në grup, ne e meritojmë fitoren ndaj Tottenhamit që është një ekip shumë i fortë. Do të jetë vështirë, por ne jemi të vendosur për ta arritur synimin tonë. Jemi ekstra të motivuar dhe duam të fitojmë”.
Marseille ndaj Tottenhamit futet pas barazimit në kampionat kundër Strasbourgut, ndeshje që u luajt të shtunën mbrëma (2:2). Tottenhami fitoi me rikthim të rezultatit në Premier League, po ashtu të shtunën. E mposhti 3:2 në udhëtim Bournemouthin, ndonëse deri në minutën 57-të ishte në disavantazh 2:0. Ekipi i trajnerit Antonio Conte u kthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe brenda 20 minutave shënoi tri herë për ta siguruar fitoren.
Në ndeshjen kundër Marseillet, skuadra e Tottenhamit nuk do ta ketë Conten në stol. Tekniku italian është ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e shkuar, kur Tottenhami barazoi 1:1 me Sportingun. Conte në konferencën për shtyp insistoi se Tottenhami nuk do ta kërkojë barazimin por fitoren ndaj skuadrës së Marseillet. Te Tottenhami për këtë ndeshje janë në dyshim tre futbollistë, të cilët nuk u paraqitën në stërvitjen e së hënës. Dejan Kulusevski, Richarlison dhe Cristian Romero ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga lëndimet.
“Edhe pse jam i suspenduar mund të them se Tottenhami në këtë ndeshje do të futet me pasion dhe dëshirën më të madhe për të fituar. Do të luajmë sikur të jetë një finale për ne, të cilën duhet patjetër ta fitojmë për të avancuar nga pozita e parë në grup. Pra, ne dalim vetëm për fitore edhe pse nuk do të arrihet lehtë, duke pasur parasysh se edhe Marseille është në garë për të kaluar nga faza e grupeve”, është shprehur Conte. “Ne do të fokusohemi vetëm në ndeshjen tonë, pasi rezultati i duelit tjetër nuk na intereson aspak. E kemi një rast të mirë për të kaluar tutje edhe me një barazim, por është e rëndësishme që të përfundojmë të parët në grup dhe kjo arrihet vetëm me fitore”.
Në ndeshjen e parë, të luajtur në Londër, Tottenhami e pati mposhtur Marseillen me rezultatin 2:0, falë golave të shënuar në pjesën e dytë nga sulmuesi Richarlison.
Edhe dueli tjetër i grupit, mes Sportingut dhe Eintrachtit, zhvillohet prej orës 21:00. Përballjen e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, të zhvilluar në Gjermani, e pati fituar ekipi nga Portugalia me rezultatin bindës, 3:0. Skuadra e Frankfurtit këtë edicion po paraqitet në Ligën e Kampionëve pasi sezonin e shkuar triumfoi në Ligën e Evropës.
Nesër luhen ndeshjet e fundit edhe në grupet, A, B dhe C. Tashmë janë përcaktuar skuadrat që avancojnë nga këto grupe. Nga grupi A avancojnë Napoli e Liverpooli, nga grupi B tutje shkojnë Club Brugge dhe Porto, kurse nga grupi C në fazën nokaut paraqiten Bayerni dhe Interi. Barcelona mbetet e treta dhe vazhdon në Ligën e Evropës.
E martë
Grupi A
Liverpool – Napoli (21:00)
Rangers – Ajax (21:00)
1. Napoli 5 15
2. Liverpool 5 12
3. Ajax 5 3
4. Rangers 5 0
Grupi B
Bayer L. – C. Brugge (18:45)
Edhe
Marseille shënon në kohën shtesë të pjesës së parë
Porto - Atl. Madrid (18:45)
1. C. Brugge 5 10
2. Porto 5 9
3. Atl. Madrid 5 5
4. Bayer L. 5 4
Grupi C
Bayern M. – Inter (21:00)
V. Plzen – Barcelona (21:00)
1. Bayern M. 5 15
2. Inter 5 10
3. Barcelona 5 4
4. V. Plzen 5 0
Grupi D
Marseille – Tottenham (21:00)
Sporting – E. Frankfurt (21:00)
1. Tottenham 5 8
2. Sporting 5 7
Edhe
Monacon e pret përballje e zjarrtë me Marseillen
3. E. Frankfurt 5 7
4. Marseille 5 6