Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Marseille kërkon fitoren ndaj Lyonit

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe rezultateve jo të mira në Ligue 1, Marseille synon të kthehet te fitorja ndaj Lyonit. Me këtë derbi, që luhet të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “Velodrome”, mbyllet xhiroja e 14-të në Ligue 1 të Francës. Marseille të martën mbrëma u mposht në minutën e pestë shtesë, 2:1, nga Tottenhami për ta mbyllur aventurën evropiane.

Skuadra e trajnerit Igor Tudor jo vetëm që u eliminua nga Championsi por përfundoi e fundit në Grupin D dhe u përshëndet nga garat e UEFA-s, me katër humbje e dy fitore. Tudor është në presion të madh jo vetëm për shkak të këtij eliminimi, por edhe ecurisë negative në kampionat. Marseille është në një seri prej katër ndeshjeve pa fitore, e cila ka bërë që ekipi të bjerë në pozitën e pestë në tabelë.

Kështu që ndaj Lyonit nuk ka tjetër opsion veç fitores për ta synuar top-katërshen në Ligue 1 deri në fund të sezonit. Marseille ka 24 pikë, dy më pak se Lyoni që është i teti, e që gjithashtu nuk ka pasur rezultate të mira në kampionat. Lideri, Paris Saint-Germaini nuk do të ketë punë të lehtë këtë vikend, pas fitores së mundimshme xhiron e shkuar 4:3 ndaj Troyesit. PSG-ja të dielën prej orës 13:00 luan në udhëtim te skuadra e Lorientit. Lorienti është i katërti në tabelë me 27 pikë, tetë më pak se Parisi që ende nuk di për humbje në kampionat, ku ka regjistruar 11 fitore dhe dy barazime.

Artikuj të ngjashëm