Faton Toski pranon se me potencialin që ka pasur si lojtar, ka mundur të bëjë karrierë të mirë në Bundesligën e Gjermanisë. Thotë se e kanë penguar lëndimet e shpeshta që i ka pësuar gjatë karrierës.
“Më ka munguar edhe fati shumë”, thotë ai.
Por karriera e tij ka marrë tash një tjetër drejtim. Ai ka hapur një shkollë të futbollit në Frankurt, ku edhe jeton, dhe është bërë trajner personal i futbollistëve me peshë botërore. Është shumë i angazhuar, pushim e ka vetëm të dielën.
Për ta paraqitur punën me fëmijë dhe lojtarë të famshëm, 33-vjeçari ka publikuar edhe disa video në rrjetin social “Facebook”. Në mesin e tyre edhe një video me portierin e Liverpoolit, Loris Karius, që ishte bërë i famshëm me gabimet e tij në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2018, kundër Real Madridit. Për shkak të gabimeve, Liverpooli e huazoi atë te Beshiktatshi, skuadër në të cilën po ashtu pati disa gabime. Ai është kthyer te Liverpooli, por me gjasë do të largohet.
“Lorisi është në një agjenci tjetër dhe unë punoj me atë agjenci si trajner personal i lojtarëve të saj. Agjencia i sjell tek unë lojtarët e vet. Ka qenë kënaqësi për mua të punoj me lojtarë të nivelit të tij dhe të Bundesligës e Bundesligës 2. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë punë me pasion të madh”, ka thënë Toski.
Toski tregon se përveç Kariusit ka punuar edhe me disa futbollistë të Bundesligës, ku edhe si lojtar në të kaluarën ka zhvilluar karrierë.
“Është një agjenci e madhe në Gjermani, me të cilën kam bashkëpunim. Dhe përveç Lorisit ka pasur edhe lojtarë të tjerë që i kam stërvitur të Bundesligës dhe Bundesligës 2. Jam i lumtur që kam punuar me ata dhe më pëlqen kjo punë shumë. Vetëm të dielën e kam pushim”, është shprehur Toski.