Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tolaj insiston se Ballkani meriton kualifikimin në fazën e grupeve

Bleart Tolaj e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme fitoren e thellë të Ballkanit ndaj BATE Borosivit në ndeshjen e parë të plejofit në Ligën e Konferencës.

Tolaj shënoi dy gola në triumfin e Ballkanit me rezultatin 4:1 në duelin e luajtur në Prishtinë.

Ai ka thënë se me paraqitjen e treguar dhe fitoren në duelin e parë ndaj BATE-s, Ballkani e meriton kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Duke pasur parasysh rastet që kishim, besoj që kemi mundur të shënojmë edhe më shumë gola. Me lojën tonë treguam paraqitje të mirë dhe nuk u dorëzuam edhe pse ishim në disavantazh. Duke pasur parasysh se BATE është emër i madh që ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit, kemi ditur se do të jetë një kundërshtar i fortë por që e kemi analizuar mirë. Me lojën dhe fitoren e arritur në këtë ndeshje, ne dëshmuam se meritojmë të luajmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Rezultati i thellë, por duhet të shkojmë atje dhe të tregohemi të kujdesshëm”, është shprehur Tolaj.