Fundori Mikaile Tmushiq është shpallur lojtari më i mirë i finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Reprezentuesi i Kosovës ka udhëhequr Yllin drejt titullit të kampionit të Kosovës në basketboll.
Ylli në finale fitoi 3:1 ndaj Trepçës. Titullin e siguroi të enjten mbrëma në “Minatori”.
Në ndeshjen vendimtare, Tmushiq realizoi 16 pikë. I kishte edhe pesë asistime.
Tmushiq: Gjetëm energji për ta fituar titullin
Fundori Mikaile Tmushiq është shprehur i lumtur që me Yllin ka fituar titullin e kampionit. Reprezentuesi i Kosovës është shpallur lojtari më i mirë i serisë finale.
“Dy ekipet më të mira ishin në finale. Mendoj që të dy ekipet ishin të forta. Trepça ka pasur më shumë lojtarë në të cilët ka llogaritur. Por disi gjetëm energjinë”, ka thënë Tmushiq pas ndeshjes.
“E fituam ndeshjen e parë dhe kjo ishte e rëndësishme. Më pas e fituam edhe ndeshjen e dytë, por dështuam në të tretën. Tani jemi kampion. Kjo është me rëndësi. Jam shpallur MVP, që nuk e kam pritur. Edhe disa lojtarë të tjerë e kanë merituar këtë çmim”, ka shtuar Tmushiq.