3 perditesime
22:33

Ylli mbron titullin e kampionit, feston në “Minatori”

Golden Eagle Ylli ka mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.

Ylli i Suharekës, të enjten mbrëma, fitoi ndaj Trepçës në Mitrovicë me shifrat 70:64.

Ishte fitorja e tretë e Yllit ndaj Trepçës në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës. Me rezultatin 3:1, Ylli fitoi titullin e kampionit.

Ylli fitoi vjet titullin e kampionit për herë të parë. Dhe të enjten festoi për herë të dytë rresht. Madje, festën e bëri në palestrën e zjarrtë “Minatori”, aty ku Trepça kishte përkrahje të madhe nga tifozët.

Por përkrahja e madhe nuk ishte e mjaftueshme për mitrovicasit.

Ndeshja ishte dramatike, ndërsa u vendos në aksionet e fundit. Vendimtare ishte një shënim për tri pikë i Erjon Kastratit. Te rezultati 65:64 në të mirë të Yllit, Kastrati realizoi për tri pikë për epërsinë 68:64. Shënimi i tij erdhi pas një mbrojtje të fortë të suharekasve.

Trepçës i mbetën 22 sekonda deri në fund, por që nuk i shfrytëzoi. Rodney Purvis bëri pasim të gabuar, ndërsa Gëzim Morina realizoi dy gjuajtje të lira për rezultatin përfundimtar, 70:64.

Dejuan Graf ishte më i miri tek Ylli me 15 pikë, 13 kërcime e pesë asistime. Erjon Kastrati ishte më efikasi me 21 pikë e pesë kërcime. Kapiteni Gëzim Morina shtoi 11 pikë, ndërsa Mikaile Tmushiq realizoi 16 pikë e pesë kërcime. Tmushiq u shpall lojtari më i mirë i ndeshjeve finale.

“Dy ekipet më të mira ishin në finale. Mendoj që të dyja ekipet ishin të forta. Trepça ka pasur më shumë lojtarë në të cilët ka llogaritur. Por disi gjetëm energjinë”, ka thënë Tmushiq pas ndeshjes.

“E fituam ndeshjen e parë dhe kjo ishte e rëndësishme. Më pas e fituam edhe ndeshjen e dytë, por dështuam në të tretën. Tani jemi kampion. Kjo është me rëndësi. Jam shpallur MVP, që nuk e kam pritur. Edhe disa lojtarë të tjerë e kanë merituar këtë çmim”, ka shtuar Tmushiq.

Te Trepça sërish më i miri ishte qendra Andrew Gordon me 17 pikë e 12 kërcime. 14 pikë i realizoi Rodney Purvis, por me efikasitet jo të mirë. Të tjerët shënuan më pak se dhjetë pikë. Amin Hot ndeshjen e mbylli me tetë pikë, tetë kërcime e shtatë asistime. Drilon hajrizi u ndal në vetëm gjashtë pikë, ndërsa Samir Zekiqi i kishte vetëm katër.

Ylli ishte i pari pas stinorit të rregullt, ndërsa në gjysmëfinale kaloi Prishtinën. Ndërkohë Trepça ishte e dyta dhe në gjysmëfinale kaloi Pejën.

Seria finale ishte shumë interesante me ndeshje shumë të forta. Por, Ylli shfaqi më shumë dhe i gëzohet titullit. Nga Suhareka është edhe kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani.

“Dua të falënderoj ekipin e Trepçës dhe tifozët e Trepçës. Jashtëzakonisht korrektë kanë qenë gjatë gjithë serisë. U dëshmua që edhe në Kosovë mund të luhen ndeshje cilësore. Kemi punuar gjithë vitin për këtë sukses dhe jam i lumtur që e kemi arritur. Është titulli i dytë rresht dhe kjo e bën të veçantë”, ka thënë Erjon Kastrati.

“Ndjenjë mjaft e mirë për ne si lojtarë, për ekipin, klubin, për punën që e kemi bërë. Vit i paharruar për Suharekën, pasi Ballkani u bë kampion po ashtu. Ka qenë presioni më i madh. E falënderojmë Trepçën për mikpritjen në këto dy ndeshje. Jam shumë i lumtur për sezonin që e kemi zhvilluar dhe jam krenar për suksesin”, ka thënë kapiteni i Yllit, Gëzim Morina.

22:02

51:51, rezultati pas çerekut të tretë mes Trepçës e Yllit

Trepça e ka fituar edhe çerekun e tretë të ndeshjes ndaj Golden Eagle Yllit. Mitrovicasit e fituan edhe çerekun e dytë, ndërsa pas 30 minutave lojë rezultati është i barabartë, 51:51.

Çereku i tretë përfundoi 16:13 për vendasit.

21:43

Ylli shkon në pushim me epërsinë prej tri pikëve

Vazhdon të luhet ndeshje interesante në Mitrovicë. Pas 20 minutave, Golden Eagle Ylli po udhëheq ndaj Trepçës vendase me shifrat 38:35. Epërsia e Yllit ishte katër pikë pas çerekut të parë, 22:18.

Dajuan Graf është tashmë më i miri te Ylli me 8 pikë e 8 kërcime.

Te Trepça u dallua Amin Hot me 5 pikë, 5 asistime e 4 kërcime.

Ylli me fitore eventuale siguron titullin e kampionit.

20:54

Basketboll, Ylli në epërsi pas çerekut të parë

Golden Eagle Ylli është në epërsi pas çerekut të parë të ndeshjes ndaj Trepçës. Pas 10 minutave lojë, Ylli udhëheq me shifrat 22:18.

Ndeshja po luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Arena buzë Ibrit është e stërmbushur me shikues.

Për dallim nga ndeshja e kaluar, Erjon Kastrati po shkëlqen te Ylli. Ai tashmë ka arritur në shifrën e 11 pikëve.