Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tite i bindur se Brazili do ta fitojë Botërorin

Përzgjedhësi i Brazilit, Tite, është i bindur se ekipi i tij mund të triumfojë në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Në fakt, Tite ka insistuar se mentaliteti që e ka Brazili mund ta bëjë dallimin në Botëror, i cili nis në muajin nëntor. Këto fjalë Tite i ka thënë të hënën pasi Brazili e mposhti 1:0 Japoninë në ndeshjen miqësore të luajtur në Tokio.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Neymar, e shënoi golin e vetëm. Ai realizoi në minutën e 77-të në këtë përballje.

Tite ka thënë se pret paraqitje të mira nga Brazili edhe në Botëror. Sipas tij, Brazili do të jetë i gatshëm për turneun e madh.

“Me Japoninë ishte një ndeshje e nivelit të lartë në të cilën të dy ekipet treguan cilësitë e tyre. Ishte një përballje shumë e fortë e nivelit të Botërorit. Mirëpo, ne treguam një mentalitet që do ta kemi edhe në Botëror. E pikërisht ky mentalitet besoj se do të na sjellë edhe triumfin”, është shprehur Tite. “Është e rëndësishme se ne nuk po ndalemi për asnjë moment, gjatë tërë kohës po e kërkojmë golin. Kjo qasje edhe po na e siguron fitoren. Kështu që qasje të njëjtë do të kemi edhe në Katar”.

Tite ka mohuar në mënyrë kategorike se në stërvitjen e Brazilit pati përleshje mes Richarlisonit dhe Vinicius Juniorit, ditë më parë. Raportet nëpër mediume Tite i quajti të rreme. Dy lojtarët ishin fotografuar duke u ndarë nga bashkëlojtarët e tjerë, por nuk dihet nëse ishte incident serioz apo një shaka.

“Ka shumë lajme të rreme nëpër botë dhe ky ishte njëri prej tyre. Për këtë mund të garantoj personalisht. Njerëzit po raportojnë dhe po gënjejnë që në grumbullimin tonë po rrihen futbollistët mes vete”, shtoi Tite.

Richarlison u inkuadrua nga banka e rezervistëve për ta fituar penalltinë e Brazilit ndaj Japonisë, kur mesfushori Watary Endu i ndërhyri nga prapa. Në fillim dukej se Brazili do ta fitojë me lehtësi këtë miqësore, kur mesfushori Lucas Paqueta e qëlloi shtyllën në minutën e dytë. Megjithatë, Japonia u kundërpërgjigj dhe krijoi disa raste shënimi, falë depërtimeve të shpeshta të anësorit Junya Ito, që shkaktoi telashe në krahun e majtë të Brazilit.

Përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, pranoi pas ndeshjes se ka mbetur i zhgënjyer që ekipi i tij nuk arriti një rezultat pozitiv.

“Luftuam deri në fund dhe patëm një paraqitje shumë të mirë. Më vjen shumë keq që nuk morëm një rezultat pozitiv”, tha Moriyasu, ekipi i të cilit gjithashtu është kualifikuar në Botëror dhe do të përballet me Gjermaninë e Spanjën në fazën e grupeve.

Për Brazilin kjo është fitorja e dytë në ndeshjet miqësore të këtij muaji. Në të parën e mposhti thellë Korenë e Jugut , me shifrat 5:1. Me tri gola në shënuar në dy ndeshje, Neymar ka arritur në shifrën e 74 golave me Brazilin, vetëm tri më pak se rekordi i legjendës Pele.

“Turneu në Azi ishte i rëndësishëm dhe një simulim i mirë përpara Kampionatit Botëror, ku do të jemi maksimalisht të përgatitur. Jam optimist në paraqitje të mira edhe në Katar”, shtoi Tite.

Artikuj të ngjashëm