Një huligan futbolli që vrapoi në fushë gjatë ndeshjes së PSV Eindhovenit në Ligën e Evropës kundër Sevillas dhe goditi me grusht në fytyrë portierin serb të klubit spanjoll, u dënua të mërkurën me dy muaj burg.
20-vjeçari, i cili u identifikua si Dylano K. në përputhje me udhëzimet holandeze të privatësisë, u dënua për sulm ndaj portierit Marko Dmitroviq, si dhe shkelje të ndalesës që të futet në stadium, të cilin ia kishte caktuar më herët federata holandeze e futbollit.
Ai po ashtu ishte i ndaluar edhe nga zona përreth stadiumit të PSV-së. Prokurorët thanë muajin e kaluar se ai kishte dy dënime të mëparshme për vepra të lidhura me futbollin dhe ishte nën efektin e alkoolit kur vrapoi në fushë në ndeshjen e 23 shkurtit dhe goditi Dmitroviqin.
Portieri nuk u lëndua dhe e rrëzoi huliganin në tokë përpara se zyrtarët e sigurisë ta largonin nga fusha.
UEFA hapi një çështje disiplinore kundër PSV-së pas hyrjes në fushë dhe klubi ka të ngjarë të sanksionohet nga organi drejtues i futbollit evropian. Huligani arriti të futej në stadiumin “Philips” duke përdorur një biletë të blerë nga një mik i tij, tha në një deklaratë Gjykata e Qarkut.
Edhe
UEFA nis hetimin për sulmin e tifozit ndaj portierit serb të Sevillas
Përveç dy muajve prapa grilave, ai mori edhe një dënim tjetër prej një muaji burg, të cilin do t'i duhej ta vuante nëse kryente sërish vepër penale.
Në dhënien e dënimit, gjyqtari mori parasysh faktin se ai u pushua nga puna pas incidentit dhe u dëbua nga klubi i tifozëve të klubit holandez.