Tifozëve të Chelseat u është kërkuar që të ndalojnë ta thërrasin emrin e pronarit të klubit, Roman Abramovich. Mbështetësit e thirrën emrin e Abramovichit gjatë fitores së Chelseat kundërt Norëichit, të enjten mbrëma.
Abramovich është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si pjesë e përgjigjes së saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Ministri i Teknologjisë, Chris Philp tha se fansat duhet të kujtojnë se Abramovich ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, regjimi i të cilit ka kryer “akte barbare” në Ukrainë.
“Unë e kuptoj pse tifozët e Chelseat kanë njëfarë dashurie për të, por regjimi me të cilin ai lidhet po kryen mizori që mendoj se është më e rëndësishme se futbolli”, tha ai.
“Kështu që unë do t'u kërkoja atyre të mendojnë me shumë kujdes përpara se ta bëjnë këtë përsëri, sepse aktet barbare të regjimit të Putinit që ka mbështetur Abramovichi janë shumë më të rëndësishme se futbolli”.
Sanksionet, të cilat u vendosën të enjten, nënkuptojnë se Abramovich aktualisht nuk është në gjendje të shesë klubin, megjithëse një licencë speciale e dhënë nga qeveria po i lejon Chelseat të vazhdojë të funksionojë. Philp thotë se kushtet e asaj licence mund të ndryshohen për të lejuar që shitja e Chelseat të kryhet.