Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tifozët e Portos sulmojnë familjen e trajnerit pas humbjes nga Brugge

Familja e trajnerit të Portos, Sergio Conceicao ka përjetuar tmerrin të martën mbrëma pas humbjes së ekipit portugez nga Club Brugge në Ligën e Kampionëve.

Porto u mposht 4:0 në shtëpi nga Brugge, ndërsa tifozët portugez nuk e kanë pritur mirë këtë disfatë, pasi kanë sulmuar familjen e trajnerit me gurë.

E përditshmja portugeze “Record” shkruan se pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e zemëruar kanë pritur familjen e trajnerit Conceicao jashtë stadiumit “Estadio do Dragao”.

Vetura në të cilën ishin gruaja e Conceicaos, Liliana dhe fëmijët Rodrigo e Jose është sulmuar nga tifozët e Portos. Tifozët fillimisht i kanë ofenduar ata përpara se t’i sulmojnë me gurë.

Për shkak të sulmit me gurë, vetura e familjes së trajnerit është dëmtuar, ndërsa lëndime kanë pësuar si gruaja ashtu edhe dy fëmijët e tij.

Incidenti është raportuar tek autoritetet, të cilat kanë filluar me identifikimin e sulmuesve. Në dy ndeshje të luajtura këtë edicion në Champions, Porto ka regjistruar dy humbje.