Në rrugën e tyre për në ndeshjen vendimtare të Argjentinës kundër Polonisë, Mohit Daga dhe Aayush Verma iu afruan stadiumit duke mbajtur një pikturë masive të heronjve të tyre, Lionel Messit dhe Diego Maradonas, me trofeun e Kupës së Botës.
Daga kishte kaluar 17 ditë duke e pikturuar atë. Peshonte 5 kilogramë. Çdo gjë do të bënte për Messin, të cilin ai e përshkroi si Zot.
“Ai është mishërimi i çdo gjëje. Ai është burimi i frymëzimit dhe i lumturisë”, tha Daga, i cili është nga India. “Ai sjell lumturi në jetën tonë”.
Argjentina po gjen një legjion tifozësh të pasionuar nga India, Bangladeshi dhe vendet tjera aziatike në Kupën e Botës në Katar. Mijëra persona kanë udhëtuar në Katar me qëllim për të parë Messin dhe ekipin e tij, ndërsa shumë të tjerë janë në mesin e punëtorëve emigrantë.
Tifozë të tjerë të Argjentinës brohoritin nga larg. Në Indonezi mediat sociale treguan qindra njerëz që festonin fitoren 2:0 të Argjentinës ndaj Polonisë, pasi ndoqën ndeshjen në ekrane të mëdha. Ata parakaluan me motoçikleta duke valëvitur flamujt, pasi Argjentina siguroi kalimin në 1/8 e finales. Një lexues lajmesh veshi një fanellë të Argjentinës gjatë një transmetimi.
Smitha Issac, me origjinë nga India e që tani jeton në Katar, po ndiqte ndeshjen me familjen e tij, duke përfshirë dy djemtë të cilët ishin “shumë të emocionuar” për të parë Messin.
“Ai është diçka si Mesia”, tha Issac. “Ne presim që ai të bëjë diçka si magji në çdo ndeshje”.
Jashtë stadiumit “974”, pak para fillimit të ndeshjes tifozët e Argjentinës po përpiqeshin të gjenin ndonjë biletë për të parë ndeshjen. Kërkesa e tejkaloi kapacitetin e stadiumit prej 44.000 ulësesh.
Mohammed Haque nga Bangladeshi, që tani jeton në Australi, ishte një nga pronarët me fat të biletave. Ai në tribuna ka përkrahur Argjentinën me një flamur të madh.
“Është e pabesueshme”, tha Haque që e ka shikuar Messin për herë të parë. “Unë në fakt jam përgatitur për këtë dy ose tri javët e fundit. Pata një natë pa gjumë”.
Argjentina ka pasur tifozë të shumtë në Bangladesh që nga ditët e Maradonës, një nga më të mëdhenjtë në futboll dhe një ikonë për tifozët në mbarë botën.
“Diego Maradona, ai ishte i jashtëzakonshëm. Dhe që atëherë unë thjesht e kam dashur këtë vend dhe veçanërisht futbollin”, tha Haque. “Pastaj më vonë erdhën Batistuta, Crespo dhe tani Messi është legjenda”.
Bangladeshi, India dhe Pakistani – ku kriketi është mbret i sporteve – nuk kanë luajtur kurrë në Kupë Botërore. Por kur turneu fillon shumë tifozë të futbollit zakonisht përkrahin Argjentinën ose Brazilin.
Tifozët që kishin udhëtuar nga Argjentina për të mbështetur ekipin e tyre në Katar ishin të kënaqur me mbështetjen nga joargjentinasit.
“Na pëlqen të shohim vende të tjera që tregojnë dashurinë e tyre për Messin dhe Maradonën”, tha Mauricio Neraj, i cili pozoi për foto pranë pikturës së Messit dhe Maradonës të bërë nga Daga.
Në turneun e Katarit, Argjentina ka edhe tifozë arabë. Ahmed Qassim ka udhëtuar nga Jemeni për ta parë lojtarin e tij të preferuar, Messin.
“Futbolli është festival i cili i bashkon njerëzit e të gjitha nacionaliteteve. Ka shumë arabë por edhe joarabë që kanë ardhur në Katar enkas për Messin dhe Argjentinën. Kjo është e natyrshme, pasi Messi është lojtari më i mirë në histori”, insistoi Qassim.