Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tifozët e Liverpoolit të bindur se do ta mbyllin sezonin me katër trofe

Derisa tifozët e Liverpoolit anembanë stadiumit “Anfield Road” festuan fitoren në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Villarrealit, ishte e përshtatshme që ata të zgjidhnin një këngë të grupit “The Beatles” për të konfirmuar synimin e madh të klubit këtë sezon.

Në muajt e fundit, Jurgen Klopp është pritur nga mbështetësit, të cilët e kanë kthyer këngën “Ndihem mirë” të grupit “The Beatles” në një këngë lavdërimi për trajnerin e Liverpoolit.

“Juergeni më tha, ju e dini. Ne do ta fitojmë Premier Leaguen, ju e dini. Ai tha kështu. Unë jam i dashuruar me të dhe ndihem mirë”, është kënga e tifozëve të Liverpoolit për Kloppin nga tribunat.

Asnjëherë puna e djemve muzikorë më të famshëm të Liverpoolit nuk ka qenë më e përshtatshme se të mërkurën mbrëma. Liverpooli fitoi 2:0 kundër Villarrealit të njohur ndryshe si “Nëndetësja e verdhë” që nga vitet 1960 kur tifozët e klubit spanjoll përdorën këngën e grupit “The Beatles” në nderim të fanellave të tyre të verdha. Villarreali u përpoq ta frustronte Liverpoolin me një plan të lojës mbrojtëse - një formulë që ia kishte sjellë fitoret tronditëse ndaj Juventusit dhe Bayern në dy raundet e mëparshme - por futbollistët e Kloppit i përmbysën ata me një paraqitje dominuese dhe të duruar.

U deshën 53 minuta për të thyer mbrojtjen e Villarrealit dhe për ta zhbllokuar rezultatin. Ishte harkimi i kapitenit Jordan Henderson nga krahu i djathë që u devijua nga mbrojtësi i Sevillas, Pervis Estupinan, për të përfunduar në rrjetë. Dy minuta më vonë, Sadio Mane dyfishoi epërsinë e Liverpoolit që pothuajse është kualifikuar tashmë në finalen e Ligës së Kampionëve, që do të jetë hera e tretë në pesë sezone. Megjithatë, Liverpooli ka në mendje më shumë se triumfin e shtatë në Evropë, i cili do të jetë i dyti nën drejtimin e Kloppit. Tek ekipi anglez synojnë diçka më të madhe. Ata po ndjekin një katërshe të paparë. Me një fjalë, Liverpooli po synon ta mbyllë edicionin me katër trofe të fituar.

Asnjë skuadër angleze nuk i ka fituar të katër trofetë e mëdhenj në një sezon, madje as Arsenali në vitin 2004 apo Manchester Unitedi në vitin 1999, që fitoi “tripletën”. Për Liverpoolin, i cili tashmë ka fituar Kupën e Ligës këtë sezon, ky është objektivi historik tani. Liverpooli është një pikë prapa liderit të Premier Leagues, Manchester City, me pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit dhe do përballen me Chelsean në finalen e Kupës FA në maj. Duke pasur nevojë për një gabim nga City për të marrë titullin, Liverpooli nuk e ka fatin në duart e veta, por ekipi po luan mjaft mirë për të vazhduar ëndrrën.

Edhe Liverpooli “tregon muskujt” për të mbetur në garë për katër trofetë Sport Liverpooli “tregon muskujt” për të mbetur në garë për katër trofetë

Fitimi i katër trofeve do ta shpallte këtë edicion si më të madhin e të gjitha gjeneratave të arta të Liverpoolit, madje më mirë se ai i vitit 1988 me John Barnesin e Peter Beardsleyn dhe fundi i viteve 1970 dhe fillimi i viteve 1980 me Kenny Dalglishin dhe Graeme Sounessin. Duke pasqyruar transformimin, skuadra e Kloppit po ndërton historinë e vet nga themelet e njohura të vendosura nga paraardhësit e tyre. Nga muralet e të mëdhenjve si Dalglish dhe Steven Gerrard te statujat e Bill Shanklyt dhe Bob Paisleyt, rrugët përreth stadiumit “Anfield Road” janë një monument i gjallë për të kaluarën e Liverpoolit.

I ngritur lart mbi shtëpitë me tarraca me tulla të kuqe të lagjes “Walton”, stadiumi “Anfield Road” do të ishte i panjohur për fansat që panë epokën e tyre të parë dominuese në vitet 1960. Në atë kohë Shankly u bë një ikonë e Liverpoolit, pasi ai i udhëhoqi ata drejt suksesit të qëndrueshëm pasi mori nën kontroll një klub që lëngonte në nivelin e dytë. Por jehona nga epoka e Shanklyt mbretëron ende sot e kësaj dite, me etikën e tij se “Anfield Road” duhet të jetë një “bastion i pathyeshmërisë”, një parim thelbësor i regjimit të Kloppit.

Villarreali e kishte të pamundur ta nënshtronte këtë Liverpool të gjallë dhe të pamëshirshëm përpara një turme prej 53.000 vetash që vazhdonte të kërkonte më shumë nga lojtarët e tyre. Është një kombinim i fuqishëm dhe Mark Lawrenson, një shtyllë e mbrojtjes së viteve 1980 të Liverpoolit, beson se kjo është tashmë skuadra më e mirë e Kloppit.