Sport

Tifozët argjentinas kthehen në stadiume pas 20 muajve

Një ndeshje po zhvillohej në stadiumin “Diego Maradona” dhe dy tifozë jashtë ishin të dëshpëruar për të parë ekipin e tyre të zemrës, Argentinos Juniorsin. Victoriano Villamil dhe Agustin Beldo, të veshur me fanella të ekipit kombëtar dhe klubit, “garojnë” rreth stadiumit duke kërkuar një boshllëk në mur, një vështrim të shkurtër. Një derë hapet, duke dhënë një paraqitje të shkurtër të fushës së gjelbër. Por, një roje kërcënuese shfaqet përpara dhe nuk i lejon të futen. Pak vende në botë kanë tifozë futbolli më pasionantë se ata në Argjentinë, dhe pak prej tyre u është mohuar kaq shumë një pamje e drejtpërdrejtë e ekipeve të tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kanë kaluar 20 muaj që kur qeveria ndaloi spektatorët nëpër stadiume.

“Më mungon gjithçka. Britma pas golit të shënuar dhe fyerja e lojtarëve kundërshtarë”, tha Villamil. Miku i tij, Beldo tha se të dy menduan se mund të gjenin një rrugë për të hyrë në stadium një ditë jave, ndoshta me më pak siguri. Tifozë të tillë, më në fund do të kenë shansin e tyre të futen në stadium javën e ardhshme kur Argjentina të luajë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” kundër Bolivisë. Presidenti Alberto Fernandez ka autorizuar spektatorët për ndeshjen që luhet më datën 9 shtator, megjithëse tifozët do të lejohen të mbushin vetëm 30 për qind të kapacitetit të zakonshëm prej 70.000 spektatorësh të stadiumit “Monumental”, shtëpia e ekipit të River Plates.

Do të jetë një test nëse tifozët mund të kthehen me siguri, pasi pandemia duket se po zbehet në Argjentinë, e cila kishte numëruar më shumë se 110.000 të vdekur nga virusi dhe 5.1 milionë raste me të infektuar.

“Ne jemi në një situatë të mirë epidemiologjike, me një rënie të qëndrueshme të numrit të rasteve për 13 javë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Carla Vizzotti, e cila argumenton në favor të rihapjes së stadiumeve të futbollit. “Kjo nuk do të ishte vetëm për futbollin; është për pjesën tjetër të sporteve. Shpresojmë që ky test të shkojë mirë dhe që situata epidemiologjike të vazhdojë ta lejojë hapjen”.

Argjentina është një nga vendet e pakta në rajon ku i gjithë futbolli profesional ende luhet tërësisht pa tifozë. Brazili, Uruguai, Kili dhe Kolumbia kanë pritur të gjithë një numër të kufizuar mbështetësish dhe mysafirësh në stadium kur autoritetet lokale të këtyre shteteve ranë dakord për hapjen. Ndikimi i pandemisë është i rëndë në një vend ku futbolli është shumë më tepër se një kalim kohe dhe grupet e përkrahësve janë të famshme për pasionin e madh dhe shumë prej tyre mbajnë ahengje duke pjekur mish në skarë para ndeshjeve. Ka prej tyre që këndojnë aq shumë gjatë ndeshjeve, saqë e humbasin zërin.

“Tifozët argjentinas bëjnë gjëra të çmendura për të parë një ndeshje”, tha Lautaro Mazza, i cili mbështet ekipin e mesit të tabelës, Lanusin. “Ka njerëz që hipotekuan shtëpinë e tyre për të parë Lanusin në Japoni. Më munguan ditëlindjet e vajzave të mia, të nënës sime. Unë u them atyre se i shoh çdo ditë, por atë ndeshje nuk do të mund ta shoh më kurrë”

Me mbylljen e stadiumit, Mazza dhe tifozët e tjerë të Lanusit mblidheshin shpesh për të parë ndeshjet para një dyqani të vogël pranë stadiumit në një televizor. Shumë argjentinas nuk mund të përballojnë një tarifë prej rreth nëntë dollarësh për ta shikuar çdo lojë në televizor nga transmetuesit kabllorë.

E tëra që mbështetësve argjentinas të futbollit u është lejuar të bëjnë gjatë pandemisë, ishte të hyjnë në stadiume disa orë para ndeshjes dhe të vendosin flamuj mbi tribunat ku ata dikur brohorisnin.

Qeveria nuk ka vendosur ende rregulla për tifozët në ndeshjen e 9 shtatorit. Shumë njerëz refuzojnë të bëjnë testet më të besueshme të PCR-së, sepse një test kushton gati 50 dollarë. Një kartë vaksinimi nuk duket si një alternativë e zbatueshme për shumicën sepse vetëm 30 për qind e popullsisë është e imunizuar plotësisht. Pasi qeveria t’i lehtësojë kufizimet, ekipet do të vendosin se kush do të ketë vende të kufizuara në tribuna. Kjo pritet të shkaktojë një konfrontim midis anëtarëve të regjistruar të klubit, grupeve mbështetëse të njohura si “Barrabravas” dhe tifozëve të rregullt. Ndërsa qëndronte në një bar duke parë ndeshjen që Boca Juniorsi e luante kundër rivalit Racing, Mery Vernaza tha se ajo nuk dëshiron që vetëm të privilegjuarit të hyjnë në stadiume. Tifozët e fortë si ajo “janë lojtari i 12 -të i ekipit”, insistoi Vernaza. Pavarësisht zhurmës që pritet me rihapjen e stadiumeve në Argjentinë, ministrja e Shëndetësisë, Vizzotti bëri një thirrje ndoshta të kotë për tifozët që mund të futen në stadium: “Nëse ka një gol, mos kini shumë kontakt mes vete”.