Sport

Thiago, “truri” prapa sulmit të Liverpoolit për katër trofetë

Mesfushori i Liverpoolit, Thiago Alcantara

Nëse dy paraqitjet e para të Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve nën drejtimin e trajnerit Juergen Klopp u karakterizuan nga kaosi, e treta – që ka të ngjarë të sigurohet të martën – duhet të përcaktohet nga kontrolli. Askush nuk po i sjell më shumë kontroll këtij ekipi të jashtëzakonshëm që po synon katër trofe sesa mesfushori Thiago Alcantara.

“Njerëzit pyesnin nëse ai i përshtatet futbollit tonë”, tha Klopp së fundmi për Thiagon, pothuajse në neveri. “Falë Zotit këta njerëz nuk marrin vendime”.

Është Klopp ai që nënshkruan vendimet e mëdha në “Anfield Road”, të paktën kur bëhet fjalë për transferimin e lojtarëve. Dhe bilanci i tij në këtë drejtim gjatë dy vjetëve të fundit ka qenë veçanërisht impresiv.

Diogo Jota pak kohë pas transferimit te Liverpooli e theu treshen e sulmit të krijuar prej kohësh, për t’u bërë lojtar i rëndësishëm. Luis Diaz, një tjetër sulmues krahu, ka shpërthyer më shpejt se Jota dhe ka qenë një zbulim që kur iu bashkua Liverpoolit nga Porto në janar. Ibrahima Konate ka qenë mbresëlënës në edicionin e tij të parë, duke u stabilizuar në qendër të mbrojtjes.

Thiago ka qenë i ngadalshëm pas lëvizjes së tij nga Bayern Muencheni para fillimit të edicionit 2020/21, por duket qartë se tani spanjolli ka marrë flakë.

Pasimet e tij të paparashikueshme shpesh bien në sy dhe shpesh tërheqin kundërshtarët e hipnotizuar. Por është prekja, qetësia dhe truri i futbollit të spanjollit që me të vërtetë po dalin në pah në një kampanjë për t’u mbajtur në mend nga Liverpooli. Janë ato cilësi që Klopp do të dëshirojë nga Thiago teksa Liverpooli shkon në “Estadio de la Ceramica” për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Villarrealit, për ta mbrojtur epërsinë 2:0 nga dueli i parë. Ndeshja e dytë luhet të martën prej orës 21:00.

Thiago ishte lideri i ekipit në ndeshjen e parë, duke kompletuar 99 nga 103 pasimet e tij në një shfaqje të dominimit të plotë nga ekipi anglez. Dhe ishte Thiago ai që kur gjërat po bëheshin paksa të vështira në pjesën e parë, pasi lojtarët e Villarrealit ngadalësuan lojën, nxiti turmën vendëse duke ngritur duart në drejtim të tifozëve, pasi pa gjuajtjen e tij nga distanca të përplasej në traversë.

Prania e Thiagos në mesfushë ka sjellë më shumë qetësi në ecurinë e këtij sezoni, karakteristikë që i mungonte më parë skuadrës së Kloppit. Megjithatë, shumë menduan se ai ishte lojtari i gabuar për Liverpoolin në vitin e parë në klub, i cili u karakterizua nga një dëmtim i rëndë në këmbë që e pësoi kundër Evertonit dhe e la jashtë fushës për periudhë të gjatë.

Liverpooli pati tealshe edhe me lëndimet e mbrojtësve dhe kjo bëri që Klopp t’i shpërndante futbollistët nëpër reparte. Me tërheqjen e Fabinhos në mbrojtje, Thiago përfundoi duke e zëvendësuar atë në një rol të thellë të mesfushës, ku ai u ngarkua me përgjegjësitë mbrojtëse dhe luftoi me ritmin e lojës në shijen e tij të parë të futbollit anglez. Këtë edicion, duke luajtur në një pozicion më të orientuar përpara Fabinhos, Thiago ka diktuar sulmet e Liverpoolit, duke mbështetur tekstin e një kënge që tifozët e klubit krijuan për të. Duke thirrur “Thiago, Thiago Alcantara”, me melodinë e këngës “Cuba” të Gibson Brothers, tifozët e Liverpoolit këndojnë: “Ti kërcen në mesfushë si askush, herën e parë që të pashë e dija se ishte dashuri”, dhe “Ai do të rrotullohet si kuban. Pasimet e tij nuk mungojnë kurrë”.

Edhe Klopp pranon se ka rënë në dashuri me lojën e Thiagos.

“Ai është një person i vërtetë futbolli dhe mendon shumë për futbollin”, tha Klopp. “Ai e dinte se si luanim ne dhe ai e dinte se do të përshtatej dhe ne e dinim gjithashtu”.

Me Thiagon dhe Diazin tani të rregullt në ekip për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, Liverpooli ka përfunduar transicionin nën drejtimin e Kloppit. Diaz me mashtrimet e tij në krahun e majtë i jep Liverpoolit një ndjenjë të paparashikueshmërisë, ndërsa Thiago thjesht e shtyn ekipin të vazhdojë përpara me pasimet dhe kontrollin e tij të topit.

Me lojtarët e tjerë si Mohamed Salah, Sadio Mane, Virgil van Dijk dhe Trent Alexander-Arnold që janë si shtylla të ekipit, Klopp duket se ka çdo cep të fushës të mbuluar. Kjo është arsyeja pse Liverpooli po i afrohet historisë – katër trofeve.